Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, shkalla e vdekshmërisë së foshnjave për vitin 2024 ishte 1.2 vdekje për 1.000 lindje të gjalla, ndërsa shkalla e vdekshmërisë të foshnjave në vitin 2013 ishte 10.2 vdekje për 1.000 lindje të gjalla, raportoi Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) me rastin e Ditës botërore të lindjeve të parakohshme, transmeton Portalb.mk.
“Në periudhën e dhënë, kemi parë një trend pozitiv në uljen e vdekshmërisë foshnjore. Lindja e parakohshme është një sfidë serioze globale dhe kombëtare shëndetësore, me një ndikim të rëndësishëm në mbijetesën dhe shëndetin e të porsalindurve. Pavarësisht faktit se Maqedonia, si shumë vende në botë, përballet me faktorë të ndryshëm që rrisin rrezikun e lindjeve të parakohshme, në dekadën e fundit është vërejtur një trend i qartë pozitiv në uljen e vdekshmërisë foshnjore”, thuhet në njoftimin e ISHP-së.
Vdekshmëria e ulur i atribuohet përmirësimit të kujdesit shëndetësor, qasjes në shërbime mjekësore dhe mbështetjes neonatale.
“Ky progres duhet të forcohet më tej përmes investimeve të vazhdueshme në kujdesin perinatal dhe neonatal, zbulimin e hershëm të rreziqeve, përmirësimin e kapaciteteve spitalore dhe ofrimin e mbështetjes për familjet”, thuhet në njoftimin e ISHP-së.
Globalisht, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), një në dhjetë foshnje lind para kohe. Sipas të dhënave të OBSH-së, rreth 13.4 milionë foshnje kanë lindur para kohe në vitin 2020 (para 37 javëve të plota të shtatzënisë). Komplikacionet e lindjes së parakohshme janë shkaku kryesor i vdekjes tek fëmijët nën 5 vjeç, përgjegjëse për afërsisht 900.000 vdekje në vitin 2019.
Përndryshe, në Maqedoninë e Veriut në tremujorin e dytë të vitit 2025 ka pasur më shumë vdekje sesa lindje. Numri i lindjeve ka shënuar ulje, ndërsa ai i vdekje rritje, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.






