Në fund të këtij muaji do të fillojë debati publik për disa ligje që janë përpunuar nga organi që MASH-i e ka formuar për reformat në arsimin e lartë.
Siç njoftoi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, draft-versionet janë gati, por për shkak të zgjedhjeve dhe, siç tha, që të mos kuptohet si presion, nuk janë vendosur në Regjistrin e vetëm Kombëtar Elektronik të Regulloreve (RKER) apo në diskutim publik.
“Trupi për reforma në arsimin e lartë ka punuar intensivisht gjatë gjithë vitit të kaluar, jo si një e tërë, por i ndarë në grupe. Ky trup ka kryer seriozisht punën e tij, për çka unë jam mirënjohëse, dhe me siguri kur të dalim me të gjitha këto produkte, tashmë të përfunduara, do të kemi edhe një seancë për t’u falënderuar me njëri-tjetrin. Kryesisht, ajo që ata bënë ishte të punonin mbi Ligjin për arsimin e lartë. Më pas, së bashku me anëtarë të Këshillit Kombëtar, punuan mbi Ligjin për shkencën dhe hulumtimin, dhe në fund e përfunduam edhe Ligjin për cilësinë në arsimin e lartë. Me siguri deri në fund të këtij muaji, ditët e fundit të këtij muaji, do ta fillojmë debatin publik”, deklaroi Janevska para fillimit të konferencës “Ndërtimi i të ardhmes – aftësi praktike për gjeneratën e re”.
Ajo shtoi se anëtarët e së njëjtit grup kanë punuar ndërkohë edhe në Ligjin për INOVA (Agjencia për Inovacion, Zhvillim Shkencoro-Teknologjik dhe Ndërmarrësi) dhe po punojnë në Ligjin për programin arsimor Erasmus Plus.
“Përndryshe, njerëzit po punojnë pro bono dhe punojnë jashtëzakonisht me cilësi dhe me shumë mund, duke kaluar ditë të tëra në fakultete dhe në Ministri deri vonë në mbrëmje, që të hartojmë ligje cilësore”, shtoi Janevska.
Në kuadër të aktiviteteve për reforma në arsimin e lartë janë edhe kontrollet e institucioneve të arsimit të lartë që kanë akreditim për punë. Për shkak të punës së paligjshme dhe mosveprimit sipas vërejtjeve të inspektorëve të arsimit, deri tani janë mbyllur 14 institute private shkencore dhe një fakultet privat.




