Pse po fshihen emrat e kompanive përfituese nga kredia hungareze?

As Qeveria, as Banka për Zhvillim nuk i zbulojnë të dhënat për kompanitë private që kanë përfituar nga kredia hungareze. E vetmja institucion që ka shprehur interes për ta hetuar këtë “logjikë” është Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Deri tani, vetëm një kompani ka vendosur vetë ta publikojë emrin dhe shumën e marrë nga ky kredi, përcjell INA.

Bëhet fjalë për gjigantin në fushën e ndërtimit “Granit”, i cili vetë njoftoi se ka marrë 3 milionë euro nga e ashtuquajtura kredi hungareze. Në raportin e dorëzuar në Bursën e Maqedonisë për rezultatet e nëntëmujorit të parë të vitit, kompania thekson aty se është përfituese e kësaj kredie, pjesa më e madhe do të harxhohet në makineri dhe pajisje, të financuara nga bankat komerciale përmes nënkredisë hungareze”, njofton “Granit”.

Që nga mesi i majit, Qeveria u mundësoi kompanive të aplikojnë për mjetet e kredisë që shteti e mori nga Hungaria. Nga ky financim, 250 milionë euro janë paraparë për mbështetje të sektorit privat, përmes kredive të favorshme që do të realizohen nga bankat komerciale me fonde të siguruara përmes Bankës për Zhvillim.

Megjithatë, sipas opozitës, të dhënat për kompanitë përfituese nuk jepen, edhe pse janë kërkuar zyrtarisht përmes Ligjit për Qasje të Lirë në Informata, me arsyetimin se përbëjnë “sekret bankar”. Maksimumi që një kompani mund të marrë është 10 milionë euro. Deri tani, thuhet se pothuajse gjysma e shumës së shpërndarë është dhënë për investime në sektorin e ndërtimtarisë, përcjell INA.

Për kredinë hungareze, Kuvendi më 17 shtator të vitit të kaluar miratoi një ligj të veçantë, ndërsa marrëveshja u nënshkrua më 8 tetor në Budapest. Në total, bëhet fjalë për 1 miliard euro, të ndara si vijon: 250 milionë euro për kompani private, 250 milionë euro për komunat, 500 milionë euro për shlyerje të borxheve të vjetra të shtetit. (INA)