Familjet ukrainase bëjnë plane mbijetese për një dimër pa rrymë e ngrohje

Në secilin prej tre dimrave të fundit, Maria Morozova, bashkëshorti i saj dhe vajza e tyre, janë përgatitur për kushte të vështira në Ukrainën lindore, të krijuara nga lufta e Rusisë ndaj fqinjit të saj. Por, këtë vit, ata po përgatiten për më të keqen.

Fushata e Moskës që synon infrastrukturën energjetike – veçanërisht prodhimin e energjisë elektrike dhe një rrjet elektrik që po përballet me vështirësi të mëdha për t’i furnizuar me energji miliona ukrainas – ka nxjerrë jashtë funksionit shumicën e furnizuesve të energjisë së vendit.

Ministria e Energjisë e Ukrainës tha në tetor se kapaciteti prodhues ishte rreth 17.6 gigavat, që është më pak se gjysma e 38 gigavatëve që kishte para shpërthimit të luftës në shkurt të vitit 2022.

Dhe, një dimër i ftohtë, i cili pritet këtë vit, mund të bëjë që kërkesat për konsum të rriten në rreth 18 gigavat.

“Fatmirësisht, ende kemi ngrohje qendrore”, tha për Radion Evropa e Lirë Morozova, një 28-vjeçare nga qyteti i saj i lindjes, Kamianske, në rajonin lindor të Dnipropetrovskit, teksa përshkruante përgatitjet për dimrin, ku temperaturat mund të zbresin deri në minus 20 gradë.

“Sa i përket energjisë elektrike, kemi blerë një bateri invertor. Gjithashtu, kemi një gjenerator në ballkon, por shpresojmë të mos na duhet ta përdorim, sepse është shumë i zhurmshëm”, tha ajo.

Sulme të vazhdueshme ruse dhe ndërprerje të rrymës

Sulmet ruse këtë javë kanë shkaktuar reduktime të energjisë për banorët në disa zona të vendit, duke shtuar frikën për atë që mund të ndodhë gjatë dimrit.

Rrymë nuk kishte në shumicën e rajoneve për tetë deri në 16 orë më 9 nëntor, tha furnizuesi shtetëror i energjisë, Ukrenergo. Reduktimet e rrymës vazhduan për disa ditë të tjera njësoj.

“Arsyeja e reduktimeve janë pasojat e sulmeve masive me raketa dhe dronë ruse ndaj objekteve energjetike”, tha kompania.

“Është e vështirë të kujtohet një numër kaq i madh goditjesh të drejtpërdrejta në objektet energjetike që nga fillimi i pushtimit”, tha Svitlana Hrynchuk, ministrja e Energjisë që së fundmi dha dorëheqjen.

Në qytetin verior të Nizhinit, vetëm disa orë larg kufirit rus, disa familje kanë filluar të hartojnë plane mbijetese, si për shembull, çfarë të bëjnë nëse dështojnë sistemet e ngrohjes, ku të mbledhin dru dhe qymyr, dhe si të krijojnë kushte minimale jetese në temperatura nën zero.

Nataliya, një banore e Nizhinit, i tha Shërbimit ukrainas të REL-it se derisa vajza e saj ka ikur nga vendi, ajo ka vendosur të qëndrojë. E vetmja gjë që do ta detyronte të largohej nga banesa, thotë ajo, është mungesa e plotë e ngrohjes.

Ajo thotë se njerëzit në lagjen e saj po mbledhin tashmë furnizime: grumbullojnë dru, mbushin shishe me ujë, kontrollojnë dritat. Disa familje kanë hartuar plane për t’u grumbulluar në pak shtëpi private që mund të ngrohen ende me soba me dru.

“Nëse do të kisha një shtëpi private, me siguri do të ndihmoja dikë. Jeta nuk ndalet edhe pse sulmet dhe granatimet janë shtuar”, thotë ajo.

Përgatitja e shtëpive dhe fëmijëve për errësirën

Morozova thotë se pothuajse të gjithë që njeh janë furnizuar me qirinj dhe llamba me bateri.

Por, shton ajo, “do të jetë shumë e vështirë nëse nuk ka ngrohje. Familja ime do të duhet të zhvendoset në shtëpinë e babait tim, ku mund të ngrohemi me dru”.

Kur ndërpritet rryma, ajo dhe bashkëshorti i saj i thonë vajzës së tyre 4-vjeçare: “Rusia dëshiron të rrimë në errësirë, dhe inxhinierët tanë po përpiqen të rregullojnë gjithçka. Duhet të presim”.

Morozova thotë se edhe nëse ky dimër del të jetë më i keqi deri tani, njerëzit në Ukrainë janë bërë më të mësuar në përballimin e të ftohtit në kohë lufte.

Rusia ka qenë në gjendje t’i rrisë sulmet mbi infrastrukturën energjetike, sipas Volodymyr Omelchenkos, drejtor i programeve të energjisë në Qendrën Razumkov në Kiev, falë rritjes së prodhimit dhe aftësive të dronëve Shahed, ndërkohë që Ukraina ka më pak sisteme të mbrojtjes ajrore se më parë.

Andriy Herus, kryetar i Komitetit të Energjisë në Parlament, thotë se megjithëse prodhuesi kombëtar i energjisë Ukrenergo ka fortifikuar 70 nënstacione, “është e pamundur të mbrohen plotësisht objektet energjetike nga të gjitha sulmet – veçanërisht nga raketat balistike”.

Gjeneratorë dhe dronë

Në Kiev, zhurma e fortë e gjeneratorëve është bërë shoqëruese e përhershme nëpër rrugë. Ata shfaqen para kafeneve, dyqaneve dhe pallateve, shpesh duke u ndezur brenda pak minutash pasi sulmet ndërpresin energjinë elektrike.

“Ndonjëherë ndihesh sikur je në një lojë kompjuterike – kaq shumë zhurmë në të njëjtën kohë”, thotë Margarita Sytnyk, ish-gazetare dhe aktiviste civile që jeton në kryeqytet.

“Zhurma e gjeneratorëve nganjëherë është e ngjashme me atë të Shahedëve. I ngatërroj. Nuk është mirë; mund të mos dëgjojmë dronët e vërtetë dhe të mos marrim masa paraprake”, shpjegon ajo.

Në pallatin e saj, banorët kanë mbledhur para për të blerë një gjenerator, por ajo njeh shumë familje që nuk mund ta përballojnë një të tillë. Me çmimet që rriten dhe të ardhurat që pakësohen, ajo thotë, “njerëzit me paga më të ulëta thjesht nuk kanë si të përgatiten”.

Ashtu si Nataliya në Nizhyn dhe Morozova në Kamyanske, edhe Sytnyk në Kiev thotë se plani i vetëm i vërtetë është të mbështeten tek njëri-tjetri.

“Nëse nuk ka ngrohje, do të shkojmë të punojmë nga zyrat që ende kanë ngrohtësi”, thotë ajo./REL