Policia e Kosovës: Nuk hapi zjarr askush ndaj pjesëtarëve të ushtrisë serbe, mediat e Serbisë po dezinformojnë

Policia e Kosovës ka njoftuar që nuk ka patur asnjë hapje zjarri në Debela Glava, ndaj pjesëtarëve të ushtrisë serbe.

Njoftimi i plotë i PK:

 

Njoftim nga Policia e Kosovës lidhur me informacionin e publikuar në disa media të Serbisë
Prishtinë, 17 nëntor 2025

Policia e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se pretendimet e publikuara në disa media të Serbisë, sipas të cilave një “grup i armatosur shqiptarësh ka qëlluar ( ka hapur zjarr) drejt pjesëtarëve të ushtrisë serbe pranë bazës së ashtuquajtur ‘Debela Glava’”, janë dezinformata, të pabazuara dhe nuk korrespondojnë me asnjë informacion zyrtar apo ngjarje të verifikuar nga autoritetet në territorin e Republikës së Kosovës.

Në bazë të të gjitha të dhënave operative, raportimeve nga njësite policore në terren dhe koordinimit me institucionet tjera kompetente, nuk është regjistruar asnjë incident i karakterit të pretenduar. Publikimi i informacioneve të tilla të pasakta kontribuon në krijimin e perceptimeve të rreme dhe rritjen e tensioneve të panevojshme në zonat kufitare.

Policia e Kosovës siguron qytetarët dhe opinonin publik se situata në zonën kufitare ka qenë dhe vazhdon të mbetet e qetë dhe plotësisht nën kontroll të autoriteteve.

Gjatë realizimit të detyrave të rregullta operacionale gjatë ditës së djeshme, vlen të ceket se njësite policore kanë arrestuar katër persona të dyshuar ( gjuetarë) shtetas të Serbisë për kallim ilegal të vijës kufitare dhe armëmbajtje pa leje, te cilët kanë hyrë nga territori i Serbisë në Republikën e Kosovës. Armët dhe municioni i gjetur janë konfiskuar, ndërsa të dyshuarit, me vendim të organeve kompetente të drejtësisë, janë dërguar në mbajtje konform procedurave ligjore.

Policia e Republikës së Kosovës u bën thirrje mediave që të referohen vetëm në burime të verifikuara dhe të shmangin publikimin e informacionit të pa konfirmuar, i cili mund të ndikojë negativisht në rendin dhe sigurinë publike.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë së përgjithshme, zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e rendit publik për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.