Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka njoftuar një plan për të “pastruar” sektorin e energjisë në Ukrainë, si pasojë e një skeme ryshfeti prej 100 milionë dollarësh të pretenduar nga hetuesit antikorrupsion në skandalin më të keq të presidencës së tij.
Gjatë fundjavës, presidenti i vendit njoftoi një rishikim të kompanive kryesore shtetërore të energjisë në Ukrainë, duke përfshirë një ndryshim të plotë të menaxhimit në Energoatom, operatori shtetëror i energjisë bërthamore në qendër të skemës së dyshuar kriminale.
Zyrtarët qeveritarë, ka thënë ai, u udhëzuan “të mbajnë komunikim të vazhdueshëm dhe kuptimplotë me organet e zbatimit të ligjit dhe antikorrupsionit”.
“Çdo skemë e zbuluar në këto kompani duhet të marrë një përgjigje të shpejtë dhe të drejtë”, ka thënë presidenti ukrainas,
Në njoftime të mëtejshme të dielën, Zelensky ka bërë të ditur se ka udhëzuar qeverinë të paraqesë një “ligj urgjent” në parlamentin e Ukrainës për të sjellë ndryshime në përbërjen e rregullatorit kyç të energjisë, Komisionit Kombëtar Rregullator të Energjisë dhe Shërbimeve.
Ai gjithashtu ka premtuar të emërojë udhëheqës të rinj në krye të organeve të tjera të energjisë.
Byroja antikorrupsion e Ukrainës ka njoftuar të hënën e kaluar se po hetonte një bandë kriminale që fshihej pas një skeme ku palët e Energoatom u detyruan të paguanin ryshfete prej 10-15% për të shmangur bllokimin e pagesave ose humbjen e statusit të furnizuesit.
Mediat ukrainase raportuan më pas se një nga figurat e larta të përfshira ishte Timur Mindich, një biznesmen dhe bashkëpronar i një kompanie prodhimi mediatik të themeluar nga Zelensky para se të bëhej president.
Premtimet për reforma nga Zelensky erdhën pak para se ai të mbërrinte në Athinë të dielën për të shënuar nënshkrimin e një marrëveshjeje që do t’i mundësojë Ukrainës të importojë gaz natyror të lëngshëm të furnizuar nga SHBA-ja gjatë dimrit.
Qeveria e Ukrainës po kërkon urgjentisht alternativa për të kompensuar humbjet e shkaktuara nga sulmet e pamëshirshme ruse në infrastrukturën energjetike.




