Raporti më i fundit i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut thekson se vendi ka bërë përparime të moderuara në fushën e digjitalizimit, por mbetet mesatarisht i përgatitur për t’u përafruar me standardet e Bashkimit Evropian. Brukseli kërkon që në vitin e ardhshëm të intensifikohen përpjekjet për zbatimin e reformave digjitale, përmirësimin e kuadrit ligjor dhe forcimin e sigurisë kibernetike, shkruan Portalb.mk.
Një ndër zhvillimet kryesore gjatë vitit 2025, raporti ka nënvizuar, miratimin e Ligjit për dokumentet elektronike, identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara, që transpozon Rregulloren e re eIDAS 2.0 dhe prezanton Portofolin Digjital të Identitetit.
BE vlerësoi pozitivisht përmirësimet në Portalin Nacional të Shërbimeve Elektronike (uslugi.gov.mk), i cili tashmë ofron më shumë shërbime në disa gjuhë, por nënvizon se përdorimi i regjistrave shtetërorë dhe mjeteve të identifikimit elektronik mbetet ende i kufizuar. Mjetet aktuale për nënshkrim elektronik vlerësohen si “jo miqësore për përdoruesit” dhe shpesh me kosto shtesë, duke kufizuar përdorimin nga qytetarët dhe bizneset.
Në qershor 2025, qeveria miratoi katër ligje të rëndësishme për fushën e komunikimeve dhe sigurisë digjitale, përfshirë Ligjin për Komunikimet Elektronike dhe Ligjin për Sigurinë e Rrjeteve dhe Sistemeve të Informacionit, që afrojnë vendin me Direktivën NIS2 të BE-së.
Njëkohësisht, potencohet në raport se u miratua Strategjia Kombëtare për Sigurinë Kibernetike, por raporti thekson se Qendra Kombëtare për Incidentet Kibernetike (CIRT) ka ende mungesë kapacitetesh dhe personeli.
Komisioni kërkon që Maqedonia e Veriut të vazhdojë përafrimin me Aktin Evropian për Infrastrukturën Gigabit (GIA), Aktin për Shërbimet Digjitale (DSA) dhe Akti për Tregjet Digjitale (DMA), të cilat do të përmirësonin mbrojtjen e konsumatorëve dhe konkurrencën e ndershme në tregun online.
Përveç kësaj, Brukseli i bën thirrje autoriteteve që të forcojnë pavarësinë e rregullatorëve të medias dhe komunikimeve elektronike, të përmirësojnë funksionimin e numrit emergjent 112, dhe të përshpejtojnë digjitalizimin e sistemit të drejtësisë, përfshirë përdorimin e videokonferencave në seancat gjyqësore.
Në fushën ekonomike, raporti thekson se digjitalizimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme po përparon, por me ritme të ngadalta dhe me dallime të mëdha mes zonave urbane dhe rurale. Qeveria është ftuar të rrisë investimet në infrastrukturën broadband dhe të zbatojë Udhërrëfyesin për Transformimin Digjital të miratuar në fund të vitit 2023.
Në përfundim, Komisioni Evropian vlerëson se Maqedonia e Veriut ka bërë hapa të rëndësishëm drejt ndërtimit të një shoqërie digjitale, por zbatimi i reformave mbetet i pjesshëm dhe kërkon përshpejtim. Përparimi real, thekson raporti, do të varet nga aftësia e institucioneve për të përmirësuar ndërveprueshmërinë, për të siguruar siguri kibernetike të qëndrueshme dhe për ta bërë digjitalizimin më të aksesueshëm për qytetarët dhe bizneset.
Raporti i Progresit i vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në u publikua më 4 nëntor.




