Reformat në vetëqeverisjen lokale në Maqedoninë e Veriut kanë ngecur. Raporti i KE-së për këtë vit ritheksoi se vendi duhet ta përshpejtojë procesin e decentralizimit dhe të miratojë ndryshimet në Ligjin për vetëqeverisjen lokale, megjithatë për këto nuk ka vullnet. Qeveria arsyetohet dhe topin e hedh te partitë politike ndërsa Ministria e Financave hesht, shkruan Portalb.mk.
Pavarësisht njëfarë progresi, KE-ja thekson se urgjentisht nevojitet reformë gjithëpërfshirëse e vetëqeverisjes lokale.
Komisioni e porositi vendin që periudhën e ardhshme të:
- Përshpejtojë procesin e decentralizimit duke vendosur kornizë të besueshme financimi për komunat dhe duke forcuar dialogun politik mbi zhvillimin rajonal; kjo përfshin miratimin e një plani të ri për të zbatuar Strategjinë e Zhvillimit Rajonal për periudhën 2025-2027.
Raporti thekson se është bërë përparim i kufizuar në zhvillimin komunal.
“Ndryshimet në Ligjin për vetëqeverisjen lokale, që synojnë përmirësimin e kuadrit rregullator dhe financiar në përputhje me programin 2021 – 2026 për zhvillim të qëndrueshëm lokal dhe decentralizim, ende nuk janë miratuar nga Parlamenti”, thekson KE-ja.
Ministria e Vetëqeverisjes Lokale për Portalb.mk informoi se se ndërkohë janë miratuar ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Zhvillimin e Barabartë Rajonal.
“Ministria e Vetëqeverisjes Lokale ka përgatitur ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, të cilat janë miratuar nga Qeveria, dhe procedura parlamentare është pezulluar për shkak të kushtëzimit të miratimit të Ligjit me shumicën e nevojshme – Badenter”, thanë nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale.
Nga Qeveria theksuan se ndryshimet në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale janë në procedurë Parlamentare dhe presin të sigurojnë shumicën e nevojshme për miratimin e tyre. Ata thonë se përgjegjëse se pse ende nuk ka mbështetje dhe shumicë për të miratuar këto ndryshime, janë partitë politike që po e bllokojnë procesin për arsye politike dhe nuk po japin mbështetjen e tyre.
“Qeveria mbetet plotësisht e përgatitur të mbështesë zbatimin menjëherë pas miratimit të ligjit, në mënyrë që nëse ndryshimet miratohen, ato të jenë të vlefshme nga zgjedhjet e ardhshme lokale, siç parashikohet në ligj”, thanë nga Qeveria.
Korniza financiare e vetëqeverisjes lokale rregullohet normativisht nga Ligji për Financimin e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, nën juridiksionin e Ministrisë së Financave. Nga Ministria e Financave dhe pse na konfirmuan se do të deklarohen për këtë çështje, deri në publikimin e këtij teksti nuk u përgjigjën.
Mes tjerash KE-ja në raportin e sivjetshëm e kritikoi vendin edhe për menaxhimn e mbeturinave në nivel lokal, prokurimet publike dhe të tjera.




