Ushtria amerikane planifikon Gazën e ndarë në zona

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po planifikojnë ndarjen afatgjatë të Gazës në një “zonë të gjelbër” nën kontrollin ushtarak izraelit dhe ndërkombëtar, ku do të nisë rindërtimi, dhe një “zonë të kuqe” që do të lihet në rrënoja.

Forcat e huaja fillimisht do të vendosen krah ushtarëve izraelitë në lindje të Gazës, duke e lënë enklavën e shkatërruar të ndarë nga “vija e verdhë” që aktualisht kontrollohet nga Izraeli, sipas dokumenteve të planifikimit ushtarak amerikan të siguruara nga “The Guardian” dhe burimeve të informuara për planet amerikane.

“Idealisht do të doje ta bëje të plotë, apo jo? Por kjo është aspiratë”, ka thënë një zyrtar amerikan. “Do të marrë kohë. Nuk do të jetë e lehtë”.

Washingtoni ka ndryshuar disa herë qasjen për të ardhmen e enklavës, përfshirë braktisjen e modelit të kampeve të rrethuara për palestinezët, të quajtura “komunitete alternative të sigurta”. Zyrtarë amerikanë kanë pranuar se planifikimi është “shumë dinamik” dhe se vetëm pak njerëz kanë qasje të plotë në fazat vendimmarrëse.

Në qendër të planit është krijimi i një Force Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), e paraparë në planin 20-pikësh të Donald Trumpit. SHBA-ja shpreson që një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të miratohet së shpejti, duke hapur rrugën për angazhime ushtarake nga shtetet partnere. Edhe pse dokumentet amerikane parashohin kontribute të mëdha nga vendet evropiane, shumë prej këtyre shteteve shihen si të gatshme të ofrojnë vetëm mbështetje joluftarake, për shkak të ndjeshmërisë politike. Jordania po ashtu ka përjashtuar dërgimin e trupave, ndërsa propozohet që kjo trupë të udhëhiqet nga një grup i gjerë shtetesh të NATO-s dhe partnerëve. Forca do të veprojë vetëm në “zonën e gjelbër”, duke mos ndërhyrë në territorin ku Hamasi po rivendos kontrollin.

Izraeli do të shqyrtojë tërheqjen vetëm pasi siguria ndërkombëtare të jetë vënë në funksion, pa afat të qartë kohor.

Po ashtu, rindërtimi në “zonën e gjelbër” shihet nga SHBA-ja si mënyrë për të nxitur palestinezët të migrojnë vullnetarisht drejt saj, ndërsa “zona e kuqe” mbetet e mbingarkuar me mbi 2 milionë banorë, pa strehim adekuat dhe me kufizime të rënda në dërgesat e ndihmave. Nevoja për rindërtim është urgjente, me më shumë se 80% të shtëpive në Gaza të dëmtuara ose të shkatërruara nga lufta, përfshirë pothuajse të gjitha shkollat dhe spitalet, sipas të dhënave të OKB-së.

Organizatat humanitare, të cilat kanë ngritur shqetësime të mëdha për modelin, kanë thënë të premten se nuk janë njoftuar ende për ndryshimin e planit.

Plani me 20 pika i Trumpit përshkruan një forcë të re policore palestineze si “zgjidhjen afatgjatë të sigurisë së brendshme” për Gazën, por planifikuesit amerikanë i kanë dhënë asaj rol të kufizuar. Plani parashikon 200 rekrutë fillestarë, që do të rriten brenda një viti në 3,000–4,000 oficerë – vetëm një e pesta e numrit të përgjithshëm të parashikuar për sigurinë.

Më shumë se një muaj pas armëpushimit, Izraeli vazhdon të kufizojë ndihmat për Gazën, përfshirë ndalimin e artikujve bazë. Gati 1.5 milion palestinezë janë duke pritur për artikuj emergjentë strehimi dhe qindra mijëra të tjerë po jetojnë në tenda pa qasje në shërbime bazike si uji i pastër. Pothuajse e gjithë popullsia – mbi 2 milionë njerëz – është e ngjeshur në zonën e kuqe, një shirit përgjatë bregdetit që mbulon më pak se gjysmën e sipërfaqes së Gazës.