Mucunski-Landau: RMV dhe SHBA-të me partneritet strategjik për stabilitet rajonal dhe bashkëpunim ekonomik

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me zëvendës-sekretarin amaikan të Shtetit, Kristofer Landau, në të cilën u konfirmua bashkëpunimi i ngushtë dhe konstruktiv midis dy vendeve.

Nga Ministria informuan se Mucunski dhe Landau theksuan natyrën strategjike të partneritetit midis Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, veçanërisht në kontekstin e përpjekjeve të përbashkëta për stabilitet rajonal, bashkëpunim ekonomik dhe aleancën brenda NATO-s.

Në bisedë u shkëmbyen mendime mbi mundësitë për përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike, me theks në rritjen e shkëmbimit tregtar dhe inkurajimin e investimeve të reja amerikane në vend.

Ministri Mucunski riafirmoi angazhimin e Maqedonisë së Veriut për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe me SHBA-në dhe për vazhdimin e përpjekjeve të përbashkëta që synojnë sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin në rajon.