Murtezani për rikonstruimin e qeverisë: Plotësim i vendeve që të mos pësojnë institucionet

Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani në intervistën në Alsat-M ka dhënë detaje për takimin e fundit të liderëve të koalicionit VLEN dhe kryeministrit Hristijan Mickoski.

Ai ka thënë se ky është takimi i parë pas zgjedhjeve lokale, ndërsa është biseduar për bashkëpunimin në nivel lokal që si koalicion VLEN dhe VMRO-DPMNE drejtojnë komunat, cilat do të ishin format si dhe për rikonstruimin e mundshëm të qeverisë.

Bekim Sali do të jetë zv/kryeministër i parë

“Ajo që dihet sigurt është se Bekim Sali do të jetë zv/kryeministër i parë dhe se a do ketë ndryshime të resorëve brenda VLEN dhe VMRO, kjo mbetet të harmonizohet brenda nesh si koalicion dhe të shihen modalitetet e bashkëpunimit me kryeministrin”, tha fillimisht Murtezani.

Sipas tij, në fazë më të afërt është plotësimi i vendeve që të mos pësojnë institucionet dhe nëse kjo do të përkojë me rikonstruim më të gjerë, do të shihet ditët në vijim.

“Jemi të sigurt edhe nëse do ketë ndryshim, këto do sjellin një frymë shtesë në qeverisje”, tha Murtezani.

Mobilizim i ministrive për reformat
Lidhur me Raportin e KE-së, ai tha se ajo ngjason me dy tre vitet e kaluara dhe është një raport standard.
Nëse i lexojmë rekomandimet e KE-së në përgjithësi, madje sipas tij, mbisundon një stagnim se sa një prapaveprim.
“Gjatë këtij procesi njëvjeçar të konsolidimit të pushtetit u ballafaquam me shumë probleme të trashëguara dhe ishin këto faktorët kryesor për stagnim dhe mosshfaqjen e progresit. Por atë që e shoh tash pas zgjedhjeve politike është mobilizimi i ministrive të caktuara përfshirë edhe kabinetin e kryeministrit dhe në vazhdim pres rezultate shumë të shpejta”, tha ai.
Pas Vitit të ri, intensifikimi i komunikimit me Sofjen
Me fillimin e Vitit të ri, ministri Murtezani tha se pritet intensifikim të përpjekjeve, ka disa tentativa për vendosjen e dialogut me Sofjen dhe në këtë fazë , siç shton, “nuk do të ishte mirë të bëjmë publike asgjë për të mos e dëmtuar këtë proces”.
“Ky proces i rikthimit të besimit duhet të jetë i ngadalshëm dhe duke i besuar BE-së si ndërmjetësues. Çdo hap dhe çdo veprim bëhet në koordinim shumë të ngushtë me Bashkimin Evropian”, tha ai.
Lidhur me unifikimin e VLEN në një parti, Murtezani shprehet se në dy ciklet e fundit zgjedhore, si VLEN edhe kështu siç jemi u pa “se dimë të organizohemi mirë dhe të sjellim rezultate, mirëpo unifikimi do të kishte sjell një vlerë shtesë”.