Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se partia e tij nuk do të takohet me mandatarin për kryeministër, Glauk Konjufca, e se partia e tij do të garojë e vetme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe nuk do të hyjë në asnjë koalicion parazgjedhor.
Pas mbledhjes së kryesisë së partisë, Haradinaj ka thënë se AAK-ja nuk ka marrë asnjë propozim apo kërkesë zyrtare për bashkëpunim nga Lëvizja Vetëvendosje. Por ai ka konfirmuar se ka pasur kërkesa për takime nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, por i cilësoi ato si jo të nevojshme.
“Do të garojmë vetëm në këto zgjedhje nuk do të shkojmë në koalicione. Kemi një vlerësim për figurën e zotit Konjufca dhe është e vërtetë kjo. Krijimi i një qeverie është proces tjetër. Kushdo që merr përgjegjësitë e merr përsipër t’i sigurojë votat. Ne nuk kemi pasur propozim ose kërkesë nga VV-ja për çfarëdo bashkëpunimi, ka kërkesa për takime por nuk mendoj që takimet janë diçka që ia vlen. Po lutemi për zgjedhje te reja sa me shpejt. Kanë kërkuar zoti Konjufca për komunikim ose nga zyra e tij, ka pasur kërkesa për takim, por nuk e shohim që me shku në takime ta zëmë si ajo shprehja ‘qitma votën si vëlla se e du Kosovën’. Kosovën nuk është që e do vetëm një. Të gjithë e duam, dikush më shumë ndoshta”, ka deklaruar Haradinaj. “Por nuk ka diçka serioze në qasjen e tyre, nëse do të kishte ndonjë propozim e dini qëndrimin tonë. Por nuk ka pasur një propozim bashkëpunimi apo ndarje e përgjegjësive, dua të jem i sinqertë. Nuk jam takuar dhe nuk kam plan të takohem me pi kafe”.




