Drejtoria e Policisë Financiare ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike – Shkup kundër tetë personave fizikë, ish-funksionarë dhe ish-zyrtarë në Komunën e Sarajit dhe në Qytetin e Shkupit, si dhe kundër një inxhinieri mbikëqyrës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, moskryerje të përgjegjshme të punës dhe falsifikim apo shkatërrim të dokumenteve zyrtare.
Në mesin e të kallëzuarve janë:
- B.B., ish-kryetar komune,
- S.SH dhe Ķ.K., ish-sekretarë të Komunës së Sarajit,
- A.S. dhe Ķ.A., ish-udhëheqës të sektorit të urbanizmit,
- A.SH, bashkëpunëtor i ri në komunë,
- I.B.SH., udhëheqës i sektorit për planifikim hapësinor në Qytetin e Shkupit,
- dhe L.T., inxhinier mbikëqyrës.
Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe autorizimeve” (neni 353), “Moskryerje e përgjegjshme e detyrës” (neni 353-v) dhe “Falsifikim ose shkatërrim i dokumenteve afariste” (neni 280) të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sipas hetimeve, personat e dyshuar — edhe pse kanë qenë të vetëdijshëm se për parcelën kadastrale KP 10405/6 KO Saraj nuk ekzistonte plan i detajuar urbanistik — kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke përgatitur dhe miratuar dokumente urbanistike dhe leje ndërtimi me përmbajtje të rreme, si dhe llogaritje të kundërligjshme për kompensimin e rregullimit të tokës ndërtimore.
Gjithashtu, inxhinieri mbikëqyrës ka kryer inspektim teknik dhe ka përgatitur raport përfundimtar të rremë.
Përmes këtyre veprimeve, zyrtarët e dyshuar i kanë mundësuar kompanisë “Azra Idriz” DOOEL Glumovë – Saraj të përfitojë kundërligjshëm mbi 108 milionë denarë.




