Numri i migrantëve që humbën jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar Mesdheun Qendror këtë vit ka tejkaluar 1.000, njoftoi sot Agjencia Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) e OKB-së, duke paralajmëruar se numri i të vdekurve vazhdon të rritet me çdo tragjedi të re, transmeton Anadolu.
Në incidentin e fundit, më shumë se 40 persona dyshohet se humbën jetën pasi një gomone u përmbys në brigjet e Libisë më 8 nëntor. Autoritetet libiane nisën një operacion kërkim-shpëtimi pranë fushës së naftës Al Buri pasi anija, e cila ishte nisur nga Zuwara më 3 nëntor, u përmbys në det të trazuar.
IOM tha se sipas të mbijetuarve, anija mbante 49 migrantë dhe refugjatë, 47 burra dhe dy gra, kur valët e larta shkaktuan prishjen e motorit rreth gjashtë orë pas nisjes. Vetëm shtatë burra, katër nga Sudani, dy nga Nigeria dhe një nga Kameruni mbijetuan pasi lundruan në det për gjashtë ditë.
Ndërkohë, 42 të tjerët mbeten të zhdukur dhe supozohet të kenë vdekur, përfshirë 29 sudanezë, tetë somalezë, tre kamerunas dhe dy nigerianë. IOM tha se ekipet e saj u ofruan kujdes mjekësor urgjent, ushqim dhe ujë të mbijetuarve pas mbërritjes.
“Kjo ngjarje tragjike që vjen vetëm disa javë pas incidenteve të tjera vdekjeprurëse pranë Surman-it dhe Lampeduza-s, tregon rreziqet e vazhdueshme me të cilat përballen migrantët dhe refugjatët përgjatë rrugës mesdhetare qendrore”, tha IOM në një deklaratë.
IOM përsëriti thirrjen për bashkëpunim të forcuar rajonal, zgjerim të rrugëve të sigurta dhe ligjore të migracionit dhe përpjekje më efektive të kërkim-shpëtimit për të parandaluar humbje të mëtejshme të jetëve.




