Mjeku nga Maqedonia rrezikon 5 vjet burg në Bullgari, shkeli një qen në Sofje

Një mjek në Akademinë Ushtarako-Mjekësore të Sofjes, me origjinë nga Maqedonia, ka shkaktuar zemërim të madh në opinionin bullgar pasi me automjetin e tij “Volkswagen Passat” përplasi dhe vrau një qen, kafshë e dashur e lagjes ku jetonte, në zonën “Rasadnik” të kryeqytetit bullgar, raporton mediumi lokal “Telegraf”.

Ngjarja ka ndodhur më 9 nëntor të këtij viti dhe menjëherë ka shkaktuar reagime të ashpra në opinionin publik. Ditëve të fundit, qytetarë në Bullgari po nënshkruajnë peticione dhe po organizojnë protesta, duke kërkuar dënim maksimal për mjekun që përplasi qenin.

Në rrjetet sociale janë publikuar pamje nga kamerat e sigurisë të ndërtesës ku jeton mjeku. Në video shihet momenti kur ai del me makinën nga garazhi, ndërsa qeni ndodhet i shtrirë në trotuarin përpara saj. Ai e shtyp qenin, më pas del nga automjeti dhe shikon kafshën e plagosur. Më pas kthehet në veturë, kalon edhe një herë mbi të dhe largohet nga vendi i ngjarjes.

Qeni i vrarë, i quajtur “Maja”, ishte kafshë e dashur e lagjes. Banorët e zonës kujdeseshin për të prej vitesh, duke thënë se kishte rreth 12 vjet dhe ishte shumë e qetë. Ata kërkojnë që mjeku të marrë dënimin më të lartë të parashikuar në Ligjin bullgar kundër keqtrajtimit të kafshëve.

Sipas mediave bullgare, fqinjët kanë deklaruar se mjeku është larguar nga banesa me qira ku jetonte. Megjithatë, ende nuk ka konfirmim zyrtar për pretendimet në media se ai mund të jetë kthyer në Maqedoni ose se është përballur me pezullim të përkohshëm nga puna gjatë zhvillimit të hetimeve.

Sipas Kodit Penal bullgar, nëse i vërtetohet fajësia, mjekut i rrezikon një dënim me burg deri në pesë vjet për trajtim mizor ndaj kafshëve.