Prokuroria Speciale e Kosovës e ka dorëzuar të martën në Gjykatën Themelore një aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe ndaj dy zyrtarëve të tjerë, për keqpërdorimin e dyshuar të rezervave shtetërore.
Prokuroria tha se Hajdari, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara dyshohen se bashkëkryerje i kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim që të përfitonin pasuri për persona të tjerë dhe i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.
Buxheti i shtetit ka pësuar një dëm prej rreth 3 milionë eurove si pasojë e veprimeve të tyre, tha Prokuroria në një njoftim.
Ata dyshohet se asokohe kishin blerë një sasi vaji dhe një sasi gruri jashtë vendit, që nuk kishin arritur kurrë në Kosovë.
Që të tre akuzohen për kryerjen e veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe zbulimi i fshehtësisë zyrtare, ndërsa R.M., për kryerjen e veprës penale ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Hajdari dhe Lipovica dhe Gara akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare.
“Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit R.M”, thuhet në njoftim.
Sipas aktakuzës. R.M., më pas u kishte krijuar kushte të tjerëve për kryerjen e veprës penale, duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt, si dhe duke propozuar e rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore.
Gara ishte drejtor i departamentit të rezervave shtetërore, ndërsa Lipovica drejtor i departamentit për integrime evropiane.
Më herët të martën, Hajdari tha se ishte njoftuar nga avokati i vet për aktakuzën.
“Sapo ta kem pranuar të plotë dokumentin e aktakuzës do të deklarohem më gjerësisht për media”, shkroi Hajdari.
Hajdari, megjithatë, tha se ndihet “krenare për punën që kam bërë si ministre në kohën më të vështirë – sigurimin e rezervës shtetërore të mallrave, me produktet esenciale për jetesë, në kohën kur ishim të pambrojtur, gjatë muajve shkurt dhe mars 2022”.
Ajo ishte marrë në pyetje disa herë nga Prokuroria Speciale si e dyshuar për keqpërdorimin e rezervave shtetërore, por ishte mbrojtur në heshtje.
Si dëshmitar për këtë rast është thirrur edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, por deri më tani nuk ka pranuar të shkojë në Prokurorinë Speciale, duke ngulur këmbë të japë dëshminë në Kryeministri.
Rasti i rezervave shtetërore
Më 2023, tre persona u arrestuan për rastin e rezervave shtetërore.
Në mesin e tyre kanë qenë edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, e cila, gjatë paraqitjes për dëshmi në Prokurorinë Speciale, ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.
Në këtë Ministri, më 2023, u kryen bastisje pas publikimit të audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku ishte pretenduar se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë.
Hajdari ka thënë se blerjet për rezerva shtetërore ishin bërë në përputhje me ligjin, por nuk ka dhënë më shumë hollësi, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.
Ajo e ka akuzuar policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.
Kurti i ka dalë në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”./REL




