Biznesmeni dhe aktivisti Elton Ilirjani, mik i këngëtares së njohur shqiptare Parashqevi Simaku, ka bërë publike situatën alarmante të artistes, duke paralajmëruar për rreziqet shëndetësore dhe vështirësitë financiare me të cilat po përballet.
Në një intervistë për emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, që do të transmetohet sonte në orën 23:00, Ilirjani do të ndajë detaje tronditëse mbi gjendjen e Simakut.
Një video promo e publikuar paraprakisht ka nxjerrë në pah disa nga aspektet më shqetësuese.
Elton Ilirjani & Parashqevi Simaku (Screenshot)
Sipas tij, këngëtarja ndodhet “në situatën më të vështirë” dhe prej 11 muajsh nuk ka asnjë përmirësim.
Ilirjani shtoi se Simaku aktualisht nuk merr asnjë mjekim dhe, pas daljes nga spitali, është izoluar plotësisht.
“Njeri që rri gjithë ditën në shtëpi. Nuk ka më motivim”, u shpreh ai. Ai shtoi se këngëtarja “thotë se IA (Inteligjenca Artificiale) e ndau” dhe se ndonëse është e divorcuar, nuk e pranon këtë fakt, si dhe djalin nuk e takon.
Përveç krizës shëndetësore, situata financiare paraqitet po aq kritike. Ilirjani tregoi se e vetmja ndihmë ka ardhur përmes një “GoFund-it”, ndërsa qeraja e banesës së saj, që deri tani është paguar nga Kadri Morina, përfundon në fund të Janarit 2026.
“Nga shkurti 2026 nuk ka asgjë”, tha ai, duke shtuar se problemi më i madh lidhet me mungesën e dokumenteve. “As ID që mund të aplikojë. Nuk pranon t’i bëjë”.
Elton Ilirjani theksoi se ka bërë gjithçka që ka mundur për t’i ardhur në ndihmë, duke organizuar emisione dhe duke kontaktuar persona që i kanë ofruar shtëpi në Shqipëri, por situata kërkon ndërhyrje institucionale.
“I duhet ndihma e shtetit shqiptar që të marrë mjekimin dhe t’i bëjë letrat, ID-në amerikane, ID-në shqiptare. Dikush të merret me këtë zonjë”, përfundoi ai apelin e tij.





