Luftëtarët e Hamasit që ende fshihen tuneleve “kërcënojnë armëpushimin e Gazës”

Rreth 150 renegatë, të cilët thuhet se ndihen të frustruar dhe të braktisur nga lidershipi i tyre, janë fshehur në territorin jugor të kontrolluar nga Izraeli, raporton gazeta “The Times”.

Një grup luftëtarësh renegatë të “Hamasit” është fshehur tuneleve në territorin e kontrolluar nga Izraeli në Gazën jugore, duke mos iu bindur komandantëve të tyre dhe duke rrezikuar potencialisht armëpushimin.

Rreth 150 luftëtarë nuk po i binden komandës qendrore të “Hamasit” prapa vijës së verdhë, e cila kontrollohet nga trupat izraelite, në të paktën dy zona – Lagjen Jenina në Rafah dhe një rajon pranë Khan Younisit, ka theksuar një burim i përfshirë në negociatat e drejtuara nga SHBA-ja për armëpushimin në Gaza.

Ata ishin përgjegjës për vdekjen e tre ushtarëve izraelitë qyshse armëpushimi u fuqizua dhe thuhet se janë të frustruar që janë lënë pas dore nga lidershipi i tyre.

“Hamasi” u ka bërë thirrje të dielën ndërmjetësve të “gjejnë një zgjidhje” për sigurimin e vazhdimit të armëpushimit, duke shtuar se asnjë nga luftëtarët renegatë nuk do të dorëzohej. “Armiku duhet ta dijë se koncepti i dorëzimit dhe dorëzimit të vetvetes nuk ekziston në fjalorin e ‘Brigadave Al-Qassam’”, ka shkruar grupi në Telegram, duke iu referuar krahut ushtarak të “Hamasit”.

Ka shumë pak komunikim ndërmjet komandës qendrore të “Hamasit” e militantëve, të cilët kanë qëndruar tuneleve që nga marrja e Rafah nga Izraeli në maj 2024. Trupat e Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF) nuk u futën në tunele pasi kishin frikë se mos rrezikonin ndonjë peng të mbajtur atje.

SHBA-ja ka hartuar një plan për të garantuar kalimin e sigurt të luftëtarëve dhe për të shmangur përplasjen e mëtejshme me trupat e IDF-së. Luftëtarët do t’ia dorëzojnë armët e tyre një vendi ndërmjetës dhe do të kthehen në territorin e Gazës jashtë kontrollit izraelit. Pastaj do ta shkatërrohen tunelet.

Ndërsa negociatat për largimin e luftëtarëve vazhdojnë, “Hamasi” ktheu mbetjet e shumëpritura të togerit Hadar Goldin, oficer zbulimi i IDF-së i cili u vra në zonën Rafah më 2014.

Izraeli ka konfirmuar se mbetjet që mori të dielën nga “Hamasi” ishin të Goldinit.

Zyra e kryeministrit Benjamin Nentanyahu ka deklaruar: “Pas përfundimit të procesit të identifikimit … përfaqësuesit e IDF-së informuan familjen e pengut të rënë, togerit Hadar Goldin, se i dashuri i tyre është kthyer në Izrael dhe identifikimi i tij është finalizuar”.