ShowBiz Dua Lipa shihet duke shijuar Superklasicon legjendare Boca–River në La Bombonera

Dua Lipa shihet duke shijuar Superklasicon legjendare Boca–River në La Bombonera

Pas dy netëve me koncerte të shitura plotësisht në stadiumin “Monumental” të River Plate, Dua Lipa i befasoi fansat e saj argjentinas me një paraqitje të papritur në një nga ngjarjet më të mëdha sportive të vendit, Superklasicon mes Boca Juniors dhe River Plate, që u zhvillua në “La Bombonera”.

Këngëtarja shqiptare mbërriti në stadiumin e Boca-s e veshur me fanellën e re të kombëtares së Argjentinës, e shoqëruar nga anëtarë të familjes që mbanin të njëjtën veshje.

Ajo u ul në një nga lozhat VIP vetëm pak minuta para fillimit të ndeshjes, mes një atmosfere elektrizuese me këngë, daulle dhe brohoritje pa fund nga tifozët vendas.

Kamerat e stadiumit e kapën autoren e hitit “Levitating” duke buzëqeshur, duke kërcyer dhe duke regjistruar turmën plot entuziazëm, ndërsa shijonte pasionin e tifozëve për futbollin argjentinas.

Prania e saj në “La Bombonera” u komentua gjerësisht në rrjetet sociale, ku fansat e Boca-s e mirëpritën si një “mikeshë të re të klubit”.

Kulmi i mbrëmjes erdhi kur legjenda e Boca Juniors dhe presidenti aktual i klubit, Juan Román Riquelme, iu afrua për ta përshëndetur personalisht.

Ai i dhuroi Duas dy fanella të Boca-s me numrin e tij të famshëm 10 dhe emrin “Román”, një gjest që e shndërroi momentin në një kujtim të veçantë për këngëtaren.

Spektakli në fushë përfundoi me fitore për vendasit: Boca Juniors triumfoi ndaj River Plate me rezultatin 2–0, duke i dhënë fund një mbrëmjeje perfekte për tifozët dhe për Dua Lipën, që e përjetoi magjinë e “La Bombonera”-s nga afër. /Telegrafi/