Sharaa i Sirisë arrin në SHBA për bisedime me Trumpin pas heqjes së sanksioneve

Presidenti sirian Ahmed Sharaa ka mbërritur në Uashington për një vizitë zyrtare, vetëm dy ditë pasi SHBA-ja ia hoqi zyrtarisht statusin si Terrorist i Caktuar Specialisht Global.

Ish-militanti islamist do të takohet me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë të hënën, njëmbëdhjetë muaj pasi aleanca e tij rebele rrëzoi Bashar al-Assad, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Disa orë para mbërritjes së tij në kryeqytetin e SHBA-së, u njoftua se shërbimet siriane të sigurisë kishin arrestuar dhjetëra anëtarë të dyshuar të të ashtuquajturit grup Shtet Islamik.

Përpjekjet e përbashkëta për të luftuar atë që ka mbetur nga grupi në Siri pritet të jenë në krye të agjendës gjatë bisedimeve të Sharaa-s me Trumpin.

Që kur mori pushtetin, Sharaa është përpjekur të rivendosë praninë e Sirisë në skenën botërore pas dekadash izolimi nën regjimin e Asadit dhe 13 vitesh luftë civile.

Ai udhëtoi për në SHBA në shtator për t’iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku tha se Siria po “rimerrte vendin e saj të merituar midis kombeve të botës” dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të heqë sanksionet.