Ende pa u zbardhur rastet e shpërndarjes së gjuhës së urrejtjes me brohoritma raciste,në tribunat sportive në Kumanovë dhe Kavadar, së fundmi në Prilep u regjistrua skandali i radhës me të njëjtin refren “Dhoma gazi për shqiptarët” nga tifo grupi “Majmuni”. Ashtu si në dy rastet e mëparshme, edhe në këtë rast mbetet e paqartë nëse drejtësia do të arrijë ta kryejë punën e saj. Deri tani ka reaguar vetëm Federata e Futbollit, duke e dënuar klubin “Pobeda” me katër ndeshje pa prezencë të publikut dhe një gjobë prej 3 mijë eurosh, shkruan Portalb.mk.
Ngjarja kishte nisur me fyerjet në bazë etnike nga tifozët vendas drejt mysafirëve nga Shkupi brenda stadiumit, derisa zhvillohej ndeshja futbollistike Pobeda- Shkëndija e Haraçinës, ndërsa në fund kishte edhe sulm nga një tifoz i Pobedës në zhveshtoren e futbollistëve mysafirë.
Komisioni disiplinor i Federatës së Futbollit të RMV-së më 6 nëntor, doli me vendim rreth sjelljeve të pahijshme në Prilep.
“FK Pobeda AD dënohet me një ndalim prej katër ndeshjesh për të luajtur ndeshje në shtëpi pa praninë e publikut dhe një gjobë prej 3,000 eurosh për brohoritje fyese në ba, shfaqjen e banderolave me përmbajtje fyese, si dhe për dëmtimin e xhamit të dhomës së zhveshjes së ekipit mysafir dhe rrezikimin e sigurisë së lojtarëve mysafirë në ndeshjen Pobeda AD – Shkëndija 77 Haraçina”, raportoi Federata për vendimin e Komitetit Disiplinor.
Institucionet e drejtësisë me hapa të breshkës
Institucionet kompetente për zbardhjen e rastit nisin si me rastet e mëparshme të pazbardhura, pa epilog, me koordinime e me masa të ndërmarra. Policia, por edhe Prokuroria, në target kanë personat që kanë prishur rendin brenda fushës, por jo edhe brohoritmat raciste dhe penalizimin e atyre që shpërndajnë gjuhë të urrejtjes, duke kërkuar dhoma gazi për shqiptarët nga tribunat e stadiumit.
“Ju njoftojmë se Sektori për Punë të Brendshme Manastir, Njësia për Punë të Brendshme Prilep, në koordinim me Prokurorinë Publike në Prilep, po ndërmerr të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Gjithashtu, ju informojmë se në lidhje me të njëjtin ndeshje, një person është privuar nga liria, për çka opinioni u informua më datë 02.11.2025. Më datë 01.11.2025, rreth orës 15:30, në Stadiumin e qytetit “Goce Dellçev” në Prilep, zyrtarët policorë nga NJPB Prilep e privuan nga liria F.Z. (33) nga Prilepi, për shkak se kishte prishur rendin dhe qetësinë publike duke dëmtuar dhe shkatërruar pajisje dhe pjesë të tjera të objektit sportiv. Ai është ndaluar në stacionin policor dhe, pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të ngrihet kallëzim përkatës. Për informacione më të detajuara, ju lutemi të drejtoheni në Prokurorinë Publike në Prilep”, thanë për Portalb.mk, nga MPB.
Nga prokuroria në përgjigjen e tyre për Portalb.mk, thonë se Ministria e Punëve të Brendshme është organi kompetent për zbulimin e veprave penale si dhe për sigurimin dhe dokumentimin e të gjitha veprave të mundshme penale që ndodhin gjatë ndeshjeve sportive.
“Me qëllim që të verifikojmë statusin dhe veprimet e ndërmarra në lëndën konkrete në prokurori, na nevojitet informacion nëse është paraqitur kallëzim penal dhe ndaj cilit person”, thanë nga Prokuroria.
Pas kësaj përgjigje redaksia e Portalbit në adresën e Prokurorisë Themelore ka shtruar edhe një çështje shtesë, se pse prokuroria pret nga policia, kur në kompetencat e saj ekziston mekanizmi i reagimit “në bazë të informatave që përhapen në opinion” apo siç njihet në gjuhë maqedonase “допрен глас”.
Çfarë thotë ligji?
Neni 272 i Ligjit për Procedurë Penale të RMV-së, është i qartë:
“Prokurori publik dhe policia gjyqësore për veprën penale mësojnë nga vëzhgimi i drejtpërdrejtë, nga informata që përhapen në opinion (по допрен глас) ose nga kallëzimi penal i paraqitur”.
Në përgjigjen e tyre për Portalb.mk, nga prokuroria thonë:
“Prokuroria mund të veprojë mbi bazën e informacioneve të marra vetëm në rastet kur organet kompetente për zbulimin e kryerësve të veprave penale nuk veprojnë ose nuk ndërmarrin masa. Në rastin konkret, nga përgjigjja që keni marrë nga Ministria e Punëve të Brendshme, është e qartë se organet kompetente po veprojnë dhe se veprimet po zhvillohen në koordinim me prokurorinë, me qëllim që të identifikohen kryerësit e veprës. Ndaj personit që tashmë është identifikuar, sapo të dorëzohet kallëzimi penal, siç është theksuar se do të ndodhë, prokuroria do të veprojë në përputhje me kompetencat e saj ligjore”.
Në pritje të kallëzimit, urrejtja marshon e lirë
Si policia, gjithashtu dhe prokuroria, kanë targetuar vetëm një person që ka prishur rendin dhe qetësinë, duke mos “çarë kokën” për brohoritjet antishqiptare e raciste në tribuna.
Kjo ngre dyshime rreth zbardhjes së mundshme të rastit, si në rastet në Kumanovë dhe Kavadar, ku organet e sigurisë dhe ndjekjes ende janë në fazën e “marrjes së masave për zbardhjen e rastit” dhe “identifikimin e personave të grupit të tifozëve”.
Kujtojmë se, mosreagimi adekuat i Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes. Këtë e vërtetuan edhe eskspertët e komunikimit politik si dhe organizatat që merren me gjuhën e urrejtjes në analizën e Portalb.mk rreth këtij problemi dhe një seri shkrimesh të redaksisë sonë.




