VLEN: Bekim Sali do të jetë zëvendës kryeministër

Bekim Sali do të jetë pasardhësi i Izet Mexhitit në postin e zëvendëkryeministrit të parë.

Nga VLEN thonë se kjo është çështje e kryer. Përfaqësuesi i këtij koalicioni Driton Sulejmani thotë se ditët në vazhdim së bashku me kryeministrin do të dakordohen detajet.

“Në rast se OBRM-PDUKM është partia e parë në pushtet, VLEN pas këtyre zgjedhjeve është partia e dytë me fuqi politike në shtetin tonë dhe si rezultat i këtyre zgjedhjeve ndodhi që pozita e zv/kryeministrit të parë të zotëri Mexhitit, për shkak se ai garoi në zgjedhjet lokale në Çair dhe i fitoi ato, të jetë vakante. Detajet se si do të bëhet ky operacion i këtyre pozicionimeve do të mbetet që të dakordohen në një takim që do ta kenë liderët tanë së bashku me kryeministrin Mickoski, ku për të gjitha detajet se cili do të jetë resori që do ta përfaqësojë zotëri Sali në Qeverinë e ardhshme- ajo që do të jetë zv/kryeministër i parë është çështje e kryer, mirëpo ndonjë resor në prapavijë, mbetet të dakordohet në takimin e ardhshëm që do ta kenë liderët tanë me Mickoskin”, tha Driton Sulejmani, VLEN.

Kujtojmë se kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski e bëri të qartë se dikastere shtesë për VLEN-in nuk do të ketë, ai tha se nuk është parashikuar hapësirë më e madhe në qeveri për koalicionin shqiptar.