Julian Alvarez hap derën për një transferim të mundshëm te Barcelona ose PSG në verë

Sulmuesi i Atletico Madridit, Julian Alvarez, ka zbuluar se Paris Saint-Germain është përpjekur ta transferojë atë në të kaluarën dhe po i mban të hapura opsionet për të luajtur për gjigantët e Ligue 1 dhe Barcelona sezonin e ardhshëm.

Alvarez është identifikuar si objektivi kryesor i Barcelonës për të zëvendësuar Robert Lewandowskin, i cili do të jetë pa kontratë në fund të sezonit.

Megjithatë, problemet financiare të Barcelonës mund të jenë një pengesë në nënshkrimin e Alvarez, i cili vlerësohet në rreth 80 milionë euro.

25-vjeçari ka qenë i frytshëm këtë sezon, duke shënuar nëntë gola dhe katër asistime në 14 ndeshje, teksa është lidhur edhe me një transferim te PSG.

Sulmuesi argjentinas ka folur tashmë për situatën e tij, teksa ka lënë derën e hapur për një transferim të madh gjatë verës te ndonjëri prej klubeve.

“Po, është e vërtetë që pati interes nga PSG-ja për mua, si dhe diskutime të mira me agjentin tim, por kjo nuk ndodhi”, ka thënë fillimisht sulmuesi argjentinas.

“Nëse e imagjinoj të luaj për Barçën ose PSG-në në të ardhmen? Sinqerisht, nuk e di. Për momentin, jam i përqendruar te Atltico Madridi; do të bëjmë një bilanc në fund të sezonit”, përfundoi Alvarez.