Izraeli kryen sulme në jug të Libanit

Izraeli ka sulmuar caqe të Hezbollahut në jug të Libanit më 6 nëntor, pasi grupi libanez e refuzoi mundësinë për bisedime direkte politike mes dy shteteve dhe u zotua se do të mbrohet.

Hezbollahu është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka në listën e zezë krahun ushtarak të grupit libanez, por jo edhe partinë politike.

Ushtria izraelite konfirmoi nisjen e sulmeve të reja ajrore pasi paralajmëroi civilët që të evakuoheshin nga disa ndërtesa në tri fshatra në Liban: Tajbeh, Tajr Deba dhe Aita al-Xhabal.

Një sulm izraelit veçse kishte lënë të vrarë një person, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Liban. Ushtria izraelite tha se ka goditur një ekip të ndërtimit të Hezbollahut.

Izraeli dhe Libani u pajtuan për një armëpushim në nëntor të vitit të kaluar, sipas një marrëveshjeje të mbështetur nga SHBA-ja, Franca dhe ndërmjetësit ndërkombëtarë, por sulmet izraelite ndaj Hezbollahut kanë vazhduar, pasi Izraeli e akuzon grupin se po bën përpjekje që të rindërtojë forcat e tij.

“Ne nuk do të lejojmë Hezbollahun të armatoset, të rikuperohet, të forcohet dhe të kërcënojë shtetin e Izraelit”, tha një zëdhënës i Qeverisë izraelite, duke akuzuar grupin për “aktivitete të vazhdueshme terroriste”.

Ndërkaq, Hezbollahu kritikoi udhëheqësit e Libanit, duke refuzuar sugjerimet se mund të jetë koha për të nisur bisedime direkte politike me Izraelin.

Libani dhe Izraeli janë ende teknikisht në luftë, por të gjitha konfliktet e armatosura të fundit me Izraelin janë zhvilluar nga Hezbollahu, jo nga ushtria libaneze.

Kontakti i vetëm diplomatik midis Izraelit dhe Libanit bëhet përmes një mekanizmi monitorimi të armëpushimit, i cili përfshin SHBA-në, Francën dhe Kombet e Bashkuara.

Ky trup takohet rregullisht në selinë e forcës së OKB-së në jug të Libanit, por palët libaneze dhe izraelite nuk komunikojnë drejtpërdrejt me njëra-tjetrën.

Hezbollahu është lëvizja e vetme në Liban që refuzoi të çarmatohej pas luftës civile 1975–1990, duke pretenduar fillimisht se kishte detyrë të çlironte territore të pushtuara nga Izraeli, dhe më pas për të mbrojtur vazhdimisht vendin.

Në një letër të hapur për popullin libanez dhe udhëheqësisë së tij, Hezbollah deklaroi se refuzon “çdo negociatë politike” midis Libanit dhe Izraelit dhe se bisedimet e tilla “nuk do të shërbenin interesit kombëtar.”

Hezbollah mbështetet nga Irani dhe grupi ka zhvilluar një luftë kundër Izraelit vitin e kaluar.

Pavarësisht se tha që refuzon negociatat politike, grupi libanez u shpreh se mbetet i angazhuar në respektimin e marrëveshjes së armëpushimit të arritur vitin e kaluar me Izraelin, që i dha fund luftimeve disamujore./REL