Kryetari i Këshillit Fiskal, akademik Abdylmenaf Bexheti, pa ndonjë koment të detajuar, e vlerësoi raportin më të ri të Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë, duke theksuar se Qeveria është shumë pak kohë në pushtet për t’u pritur ndryshime thelbësore.
“Nuk kam ndonjë koment të veçantë. Kjo Qeveri është një vit e gjysmë në pushtet, ndërkohë që kemi pasur edhe dy procese zgjedhore. Nuk mund të priten kush e di çfarë reformash fundamentale e strukturore në një periudhë të tillë” deklaroi Bexheti në emisionin Biznis21 në TV21.
Ai theksoi se vërejtjet në raport janë, në masë të madhe, të njohura edhe për institucionet vendore.
“Është fakt që mungojnë politika për forcimin e ekonomisë dhe për ndryshime strukturore. Kjo nuk është diçka që nuk e dimë. Përkundrazi, prej kohësh jemi të vetëdijshëm për këto dobësi,” shtoi ai.
Bexheti vlerëson se, përveç aspekteve ekonomike, është e rëndësishme të ruhet edhe stabiliteti politik dhe të vazhdohet me proceset integruese.
“Kjo është e domosdoshme nëse duam t’i mbajmë të rinjtë në vend,” theksoi akademiku.






