Gjermania duhet t’ia dorëzojë raketat Taurus, Ukrainës – thotë ish-shefi i NATO-s

Gjermania duhet të dërgojë raketa me rreze të gjatë veprimi Taurus në Ukrainë, dhe aleatët e NATO-s duhet të rrisin dërgesat për të ndihmuar ukrainasit të mbrohen kundër raketave dhe droneve ruse, ka thënë ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen në një intervistë për Euronews.

Rasmussen, i cili ishte shef i NATO-s nga viti 2010 deri në vitin 2014 pasi shërbeu si kryeministër i Danimarkës, sugjeroi që aleatët e NATO-s duhet të rrisin presionin mbi presidentin rus Vladimir Putin për ta sjellë atë në tryezën e negociatave, megjithëse për momentin Putin nuk ka asnjë motiv për ta bërë këtë.

“Presidenti Putin nuk ka asnjë nxitje për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në një proces paqeje, për sa kohë që ai beson se mund të fitojë në fushën e betejës”, ka thënë Rasmussen përcjell Telegrafi.