Shtëpia e Bardhë po përjeton ndryshimin më drastik në më shumë se një shekull.
Muajin e kaluar, pjesë të East Wing, të ndërtuara që prej vitit 1902, janë shembur për t’i hapur rrugë projektit të ri të Donald Trump: një sallë gjigante eventesh, që ai e quan “më e bukura në botë”.
Presidenti Trump kishte deklaruar më herët se ndërtesa historike nuk do të prekej, por pas fillimit të punimeve tha se shembja totale ishte e nevojshme “për ta bërë si duhet”, duke theksuar se vendimi është marrë pas studimeve me “arkitektët më të mirë në botë”.
Projekti kap shifrën prej rreth 300 milionë dollarësh dhe, sipas Trump, po financohet nga ai vetë dhe dhurues privatë, përfshirë kompani si Amazon, Google e Meta.
Ky model financimi ka ngritur shqetësime tek ekspertët ligjorë, të cilët paralajmërojnë se mund të krijojë një rrugë “blereje influence” pranë administratës. Megjithatë, duket se asgjë s’e ndal planin e Trump për t’i lënë gjurmë të dukshme presidencës së tij.
Nga mermeri te ari, ndryshime nga zyrat te kopshtet
Pas marrjes së mandatit të dytë, Trump është përqendruar tek transformimi i ambienteve të brendshme. Oval Office është shndërruar në një hapësirë me elementë të shumtë ari, të ngjashëm me stilin e resorteve të tij luksoze.
Edhe Kopshti i Trëndafilave është rikonceptuar: në vend të barit historik, është vendosur një shesh i mbuluar me gurë të bardhë dhe çadra luksoze me motive të ngjashme me resortin e Trump në Mar-a-Lago, duke e riemërtuar hapësirën si “Rose Garden Club”.
Një “Ëalk of Fame presidencial” është vendosur në Ëest Ëing, me portrete të ish-presidentëve, të gjitha të arta, me një detaj provokues: në vend të portretit të Joe Biden, ndodhet një fotografi e autopen-it, një pajisje për nënshkrime automatike, nënkuptuar si akuzë nga Trump se Biden nuk firmoste vetë dokumentet.
Ambiciet shtrihen jashtë Shtëpisë së Bardhë
Përveç projektit të madh brenda rezidencës presidenciale, Trump ka shpallur synimin për të ngritur një hark monumental në Ëashington, të ngjashëm me Arc de Triomphe në Paris, të pagëzuar nga ndjekësit si “Arc de Trump”. Struktura do të jetë një monument për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA.
Ndërkohë, kritikët thonë se me këto projekte Trump po përpiqet të ndërtojë jo vetëm një trashëgimi politike, por një “markë personale” brenda dhe jashtë Shtëpisë së Bardhë.
Administrata thotë se nuk parashikohen ndërhyrje të tjera, por siç shprehet zëdhënësja Karoline Leavitt: “Ai është ndërtues në shpirt, dhe mendja e tij gjithmonë punon për të përmirësuar gjërat.”
Ndërsa punimet vazhdojnë, një gjë është e qartë: Shtëpia e Bardhë nuk ka qenë kurrë më shumë nën stilin personal të një presidenti amerikan.
Top Channel




