Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, në një intervistë për emisionin Rretheqark në A2 CNN me Xhevahir Qardakun, paralajmëroi se regjimi i Aleksandër Vuçiç po përballet me krizën më të thellë politike të dekadës së fundit, ndërsa ndikimi rus në Serbi po bëhet një rrezik serioz për stabilitetin e rajonit.
Sipas saj, protestat e mëdha të qytetarëve dhe studentëve në Beograd dhe qytete të tjera, që nisën pas tragjedisë së Novi Sadit ku humbën jetën 16 persona, kanë shkundur themelet e pushtetit. “Vuçiç është delegjitimuar, por mban pushtetin përmes manipulimeve, propagandës dhe shtypjes”, theksoi ajo.
Biserko paralajmëroi se Bashkimi Europian pritet të publikojë raportin më kritik ndonjëherë ndaj Serbisë, duke theksuar mungesën e reformave, presionin mbi gjyqësorin dhe varësinë nga Rusia. “Serbia nuk ka një alternativë demokratike, opozita është e kriminalizuar, ndërsa BE-ja duhet të ndërhyjë për të ndalur regresin demokratik,” tha ajo.
Ajo akuzoi Vuçiçin për përpjekje për të penguar integrimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi në BE, ndërsa instrumentalizon komunitetet serbe në Kosovë, Bosnje dhe Maqedoninë e Veriut për të ruajtur ndikimin rajonal. “Serbia mbetet faktori kryesor destabilizues në Ballkan,” paralajmëroi Biserko, shkruan A2 CNN.
Në pjesën e sigurisë, aktivistja nënvizoi rrezikun e rritjes së ndikimit rus përmes Kishës Ortodokse, mediave dhe strukturave të sigurisë. Sipas saj, ministri i Sigurisë, Aleksandër Vulin, është “agjenti më i famshëm i Rusisë në Beograd” dhe vepron nën udhëzimet e kryespiunit të Putinit, Sergey Naryshkin.
“Rusia kërkon tensione, jo paqe. Putini po përdor Serbinë për të testuar Perëndimin dhe për të hapur një front të ri pas dështimeve në Ukrainë,” shtoi Biserko, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara dhe NATO duhet të mbështesin më fort vendet e rajonit për të frenuar këto aspirata.
Sipas saj, nëse Serbia nuk shkëputet nga ndikimi rus dhe nuk njeh realitetin e pavarësisë së Kosovës, do të mbetet e izoluar dhe jashtë Evropës.




