Ibrahimi i drejtohet Ahmetit: Interpretimi nuk i ndryshon faktet. Tërhiqu!

Kryetari i Alternativës dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi i është drejtuar liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, duke i kërkuar dorëheqje për rezultatin në zgjedhjet lokale.
“Interpretimi nuk i ndryshon faktet. Tërhiqu!
Mund të përdorësh kalkulator çfarë të duash, mund të zbulosh fajtorë në radhët tua e tradhtarë tek oponentët, mund të nervozohesh me gazetarët e mund t’i godasësh bashkëpunëtorët që të kanë braktisur, por kjo nuk e zhbën faktin se je humbës. Ti mund ta matësh rezultatin miligramë, për të përdëftuar fitore, por kjo nuk të bën fitues. Sepse ti e di se as vetë nuk perceptohesh si fitues, as të tjerët nuk të shohin si fitues. Kaloi koha jote.
Andaj, mos pyet se për kë bie këmbana. Ajo po bie për ty. Tërhiqu!”, ka shkruar Ibrahimi.