Para publikimit të sotëm të paketës së raporteve për zgjerimin e Bashkimit Europian, të gjitha lavdatat pritet të shkojnë për Malin e Zi dhe Shqipërinë, ndërsa për Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën do të ketë pak zhvillime të reja.
Ndërkohë, për Serbinë pritet një raport me tone mjaft kritike – shkruan portali “Politico” nga Brukseli.
Sipas “Politico”-s, Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, do ta paraqesë zgjerimin si një mjet gjeopolitik kyç për Bashkimin Europian, për të treguar se “BE-ja po i përgjigjet realisht sfidave me të cilat përballet në mbarë kontinentin”.
Ajo theksoi se procesi i ndihmës për vendet që ndjekin rrugën drejt anëtarësimit është mënyra se si Bashkimi Europian mund t’u bëjë ballë forcave që synojnë të na destabilizojnë.




