Osmani: Rrëmbimi i serbit, dëshmi e qasjes hegjemoniste të Serbisë, skena politike të flasë me një zë

Pas plagosjes e rrëmbimit të qytetarit serb në territorin e Kosovës nga xhandarmëria serbe, ka reaguar edhe presidentja Vjosa Osmani. Ajo e quajti këtë dëshmi shtesë të qasjes hegjemoniste të Serbisë, ku çdo qytetar që flet për regjimin autokratik të Vuçiqit, sulmohet e torturohet.

Osmani poashtu kërkoi që bota demokratike të reagojë e skena politike e vendit të flasë me një zë për mbrojtjen e Kosovës.

“Kjo është edhe një dëshmi shtesë e qasjes së saj hegjemoniste, ku çdo qytetar që guxon të flasë të vërtetën rreth regjimit autokratik të Vuçiqit, sulmohet dhe torturohet në mënyrën më barbare të mundshme. Bota demokratike duhet të reagojë e të ndalë këto sulme të Serbisë që kanë për qëllim rrezikimin e paqes e stabilitetit në rajonin tonë. Ndërkaq skena politike në Kosovë duhet të veprojë e flasë në një zë në mbrojtjen e Kosovës nga tendenca të tilla”, shkroi presidentja Osmani në faqen e saj në Facebook.