Zbulohen armë të trafikuara në Tiranë, drejtori i Policisë: Nuk do të ndalemi

Drejtoria Vendore e Policisë në Tiranë, ka zbuluar dhe goditur një bazë ku ishte fshehur një arsenal armësh të dyshuara të trafikuara.

Gjatë operacionit “The Van” u sekuestruan 23 armë zjarri (prej të cilave 5 snajperë), 1 silenciator, 17 krehra me municion luftarak, celularë dhe pajisje për shpërthime në distancë, pajisje për bllokimin e valëve, uniforma të ngjashme me ato të Policisë, si dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda ka falënderuar drejtuesit dhe strukturat e DVP Tiranë për finalizimin me sukses të operacionit, si dhe për punën shumë të mirë dhe profesionale në drejtim të parandalimit dhe goditjes së armëmbajtjes pa leje dhe trafikimit të armëve që mund të përdoreshin për kryerjen e krimeve kundër jetës dhe pronës, transmeton Klankosova.tv.

“Ky është një tjetër operacion i suksesshëm që tregon profesionalizmin, përkushtimin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të goditur krimin dhe garantuar sigurinë e qytetarëve. Armët prodhojnë krim, çdo armë e paligjshme është një rrezik real për jetën e qytetarëve dhe për rendin publik”, tha ai.

“Falënderoj drejtuesit e DVP Tiranë dhe të gjithë efektivët që punuan me përkushtim dhe profesionalizëm duke bërë të mundur parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale që do të kryheshin me këtë arsenal armësh. Policia e Shtetit nuk do të ndalet asnjë ditë në luftën kundër armëmbajtjes pa leje dhe trafikimit të armëve, pasi çdo armë e paligjshme është një potencial për krim”.

“Iu bëj thirrje qytetarëve që të mbështesin punën e Policisë së Shtetit, duke bashkëpunuar dhe duke denoncuar çdo rast që cenon rendin dhe sigurinë publike. Çdo informacion që ndihmon Policinë për parandalimin apo goditjen e krimeve është një kontribut i drejtpërdrejtë për sigurinë e përbashkët”.

Mund të jetë një imazh i teksti

Mund të jetë një imazh i teksti

Mund të jetë një imazh i luajtës dixhital i audios, telefon dhe teksti