Dikur krenari, sot industria e tekstilit në Turqi përballet me krizën më të rëndë në dekada

Sulltan Bajaziti II e dinte çfarë bënte kur, në fund të shekullit XV, urdhëroi ndërtimin e Koza Hanit në qytetin Bursa, atëherë kryeqyteti i Perandorisë Osmane. Ky han i madh ku tregtarët e mëndafshit ruanin dhe shkëmbenin mallrat e tyre u bë qendra tregtare e mëndafshit osman, duke e kthyer Bursën në zemrën e industrisë së tekstilit të perandorisë.

Edhe sot, Koza Hani ekziston. Në oborrin e tij, vizitorët shijojnë hallvë me akullore, ndërsa galeritë janë mbushur me dyqane që shesin shalla mëndafshi. Por sektori për të cilin u ndërtua dikur, po kalon një krizë të thellë.

Kriza e industrisë që dikur udhëhiqte botën

Turqia mbetet ende ndër furnizuesit më të mëdhenj të tekstilit në botë, por pjesa e saj në tregun global ka rënë nën 3%, niveli më i ulët në më shumë se tridhjetë vjet. Ndërkohë, eksportet e veshjeve nga Bangladeshi dhe Vietnami janë rritur me dyshifrorë gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, krahasuar me një vit më parë, ndërsa eksportet turke kanë rënë me 6.9%.

Për të tretin vit me radhë, eksportet janë në rënie – nga kulmi prej 22 miliardë dollarësh në vitin 2022, në vetëm 17 miliardë dollarë të parashikuara për këtë vit, një rënie prej 23%.

Si pasojë, rreth 310 mijë punëtorë kanë humbur vendet e punës dhe afro 6 mijë kompani janë mbyllur, ndërsa qindra të tjera janë zhvendosur jashtë vendit, kryesisht në Egjipt.

Kostot e larta po i shkatërrojnë prodhuesit

Shkaku kryesor i krizës është gjendja e përgjithshme e ekonomisë turke.

Edhe pse normat e larta të interesit dhe monedha e mbivlerësuar kanë ulur inflacionin – ende qëndron në 33%.

Kjo politikë ka rritur ndjeshëm koston e punës dhe të prodhimit, duke e bërë sektorin më pak konkurrues.

Që nga fillimi i vitit 2022, paga minimale në Turqi është rritur nga 383 dollarë në 620 dollarë, një rritje mbi 60%.

Eksportuesit që më parë përfitonin nga normat e ulëta të interesit, tani janë nën presion.

“Produktet tona kanë qenë gjithmonë më të shtrenjta se ato kineze apo indiane, por e kemi kompensuar me cilësi. Sot, diferenca është bërë 50%, dhe klientët evropianë nuk na zgjedhin më”, ka thënë Mustafa Gultepe, kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Turqisë.

Për pasojë, porositë po zhvendosen drejt Azisë. Vetëm gjatë gjysmës së parë të vitit, eksportet e tekstileve kineze drejt BE-së u rritën me 20%.

Punëtorët e huaj po largohen

Për më shumë se një dekadë, sektori i tekstilit në Turqi është mbështetur edhe te punëtorët migrantë dhe refugjatë.

Vlerësohet se 250 deri në 400 mijë sirianë kanë punuar nëpër punishte e fabrika turke, shumë prej tyre me paga të ulëta.

Por që nga përfundimi i luftës civile në Siri dhe rënie së regjimit të Assadit në fund të vitit të kaluar, rreth 20% e tyre janë kthyer në vendin e tyre, tregoi Muzaffer Cevizli, drejtues i qendrës tregtare Giyimkent.

Kjo ka lënë bosh vende pune që është gjithnjë e më e vështirë të mbushen.

“Të rinjtë sot preferojnë punët në zyra, jo në fabrika”, thotë Cevizli.

Koha për një model të ri

Ekspertët mendojnë se prodhimi masiv – dikur themeli i suksesit të tekstilit turk – mund të jetë diçka e së kaluarës.

Në vend të kësaj, industria duhet të përqendrohet te markat, dizajni, shpërndarja e shpejtë dhe produktet e specializuara.

Siç u shpreh një njohës i sektorit: “Turqia duhet të ndalojë së përpjekuri të bëhet ‘Kina e Evropës’”.

Një zgjidhje tjetër është zhvendosja e prodhimit jashtë vendit. Disa nga markat më të njohura turke, si Eroglu dhe LC Waikiki, tashmë kanë hapur linja prodhimi në Egjipt, dhe të tjerat mund t’u bashkohen.

Sektori i tekstilit turk ka ende potencial për t’u ringritur – por për ta bërë këtë, duhet të ribëhet nga e para.