Vetëm pak sekonda zgjati, pastaj u bënë histori përfundimisht – dy kullat ftohëse 160 metra të larta të centralit bërthamor në Gundremmingen, Gjermani.
Para syve të mijëra shikuesve, të dy kullat u hodhën në erë në ora 12:00.
Aksioni zgjati vetëm 15 sekonda, pastaj u bënë histori kullat ftohëse të centralit bërthamor Gundremmingen, raportojnë mediat gjermane.
Të dy kullat, 160 metra të larta, u shembën siç ishte planifikuar, duke u zhdukur në një re të madhe pluhuri. Nga dy kolosët prej betoni të armuar mbeti vetëm një grumbull i madh rrënojash.
Ekspertëve të shpërthimit u ndihmoi edhe moti. “Me këtë mot të keq, mund të dalë vetëm një shpërthim i mirë”, tha më herët eksperti i shpërthimeve Gerd Vogel. Mjegulla nuk u shfaq, duke ofruar pamje të qarta për shpërthimin. Ndërkohë, shiu bëri që reja e pluhurit të ishte e kufizuar.
Javën e ardhshme aty do të vendoset gurthemeli për njërin nga depozituesit më të mëdhenj të energjisë me bateri në Gjermani.
Po ashtu është në plan ndërtimi i një centrali me gaz, dhe përreth Gundremmingen do të zgjerohet rrjeti i paneleve diellore.
Edhe materiali i dy kullave ftohëse do të gjejë një përdorim të ri: rrënojat do të riciklohen dhe, ndër të tjera, do të përdoren në ndërtimin e rrugëve.
Megjithatë, fundi përfundimtar i energjisë bërthamore në Gundremmingen ende nuk ka ardhur plotësisht.
Në territorin e centralit ruhen ende shufrat e vjetra të karburantit bërthamor në një depo të përkohshme – derisa të gjendet një vend përfundimtar për depozitimin e tyre.




