Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, është përfshirë ditën e premte në një incident fizik me një qytetar.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, përmes një reagimi në Facebook, i ka dalë në mbrojte bashkëpartiakut të tij, duke shkruar se është me fat që ka një bashkëpunëtor të tillë.
“Jam shumë me fat që kam bashkëpunëtor si Armend Zemaj! Në punën tonë të përditshme, Armendi shquhet për qasjen e tij paqësore dhe gjithmonë bashkëpunuese. Është vërtet fisnik në sjellje, një person i urtë që di të dëgjojë dhe të ofrojë zgjidhje me maturi. Kontributi i tij, përveç profesionalizmit, sjell një frymë pozitive dhe qetësie në ekip”, ka deklaruar ai.
Quni ka deklaruar se Zemaj me urtësi dhe paqe menaxhon situatat më sfiduese.
‘Karakteri i tij fisnik dhe fryma bashkëpunuese e bëjnë atë një anëtar të çmuar të ekipit”, shtoi ai.
Ndër të tjera, ai ka pohuar se “Përkushtimi dhe sjellja e tij pozitive ndikojnë drejtpërdrejt në suksesin e përbashkët”.
“Në një botë ku shumë lëkunden nga frika, Armendi qëndron si një mur, i pathyeshëm para kërcënimeve. Ai na kujton se guximi i vërtetë nuk është mungesa e frikës, por aftësia për të vepruar me dinjitet pavarësisht saj”, theksoi ai.
Sipas Qunit, nuk ka shantazh, as frikësim që e bën Armendin të kthejë kokën pas.
“Për të, parimet, drejtësia dhe e vërteta janë më të shtrenjta se siguria personale.Armend, Ti na tregon se të kesh kurajo do të thotë të jetosh sipas bindjeve tua, pa lejuar kërcënimet të shkruajnë fatin tënd”, pohoi ai.
Ndryshe, vet deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka reaguar pas një situate të pakëndshme që ka ndodhur gjatë një interviste publike, ku sipas tij është provokuar dhe ofenduar nga një qytetar.
Përmes një reagimi në rrjete sociale, Zemaj ka shprehur keqardhje për incidentin, duke theksuar se reagimi i tij ishte në afekt dhe nuk përfaqëson as bindjet e tij personale, as parimet që mban si deputet dhe anëtar i LDK-së.“
Një qytetar, nuk e di a ishte e rastit apo me qëllim të caktuar – këtë do ta vërtetojë policia – më ofendoi dhe më provokoi verbalisht me fjalë të papranueshme, para medias dhe gazetarit që ishim në intervistë. Në atë moment reagova në mënyrë të vetëmbrojtjes në afekt, gjë e cila nuk përfaqëson as bindjet e mia personale, as parimet që unë përfaqësoj si deputet dhe si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka shkruar Zemaj.




