Turqia akuzon Izraelin për shkelje të armëpushimit, kërkon ndërhyrjen e SHBA-së

Turqia i ka kërkuar SHBA-së të ndërmarrë veprime pasi akuzoi Izraelin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza.

Presidenti i vendit, Recep Tayyip Erdogan, tha se Uashingtoni dhe aleatët e tij duhet të marrin në konsideratë sanksionet dhe ndalimin e shitjes së armëve për të ushtruar presion mbi Izraelin që t’i përmbahet marrëveshjes.

Bëhet e ditur se Turqia, një anëtare e NATO-s, iu bashkua negociatave të armëpushimit si ndërmjetëse dhe e rriti rolin e saj pas një takimi midis Erdoganit dhe Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar.

“Pala e Hamasit po i përmbahet armëpushimit. Në fakt, ajo po e deklaron hapur angazhimin e saj ndaj kësaj. Ndërkohë, Izraeli po vazhdon ta shkelë armëpushimin”, tha Erdogan.

“Bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht SHBA, duhet të bëjë më shumë për të siguruar që Izraeli t’i përmbahet plotësisht armëpushimit dhe marrëveshjes”, shtoi ai.

Erdogan u pyet gjithashtu në lidhje me komentet e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu , i cili la të kuptohej se do të ishte kundër çdo roli paqeruajtës për forcat turke të sigurisë në Rripin e Gazës.

Presidenti turk tha se bisedimet mbi këtë çështje ishin ende duke u zhvilluar, duke shtuar: “Meqenëse kjo është një çështje shumëplanëshe, ka negociata gjithëpërfshirëse. Ne jemi të gatshëm t’i ofrojmë Gazës çdo formë mbështetjeje për këtë çështje.”