Presidenti amerikan, Donald Trump tha se do të vendosë nëse do të mbështesë lirimin e udhëheqësit palestinez të burgosur, Marwan Barghouti, një person që shumë e shohin si të aftë për të bashkuar palestinezët rreth një zgjidhjeje me dy shtete.
“Isha duke e pyetur veten rreth 15 minuta para se të më telefononit… Kjo ishte pyetja ime e ditës. Pra, do të marr një vendim”, tha ai në një intervistë për revistën Time.
Komentet erdhën ndërsa lideri amerikan diskutonte për udhëheqjen palestineze, duke thënë se palestinezët “aktualisht nuk kanë një udhëheqës, të paktën jo një udhëheqës të dukshëm”, raporton dailysabah.
Në pyetjen për rolin potencial të presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, në administrimin pas luftës së Gazës, Trump tha se “gjithmonë jam pajtuar me të. Gjithmonë e kam konsideruar si një person të arsyeshëm, por ndoshta nuk është”.
Ndryshe, Barghouti është një udhëheqës i shquar i Fatahut, shpesh quhet “Mandela palestinez” për shkak të ndikimit dhe cilësive të tij udhëheqëse.
Izraeli e arrestoi atë në vitin 2002 dhe e dënoi me pesë dënime me burgim të përjetshëm plus 40 vjet për akuzat se kishte udhëhequr sulme vdekjeprurëse kundër izraelitëve.
Barghouti është në krye të shumicës së sondazheve midis palestinezëve për atë për kë do të votonin në zgjedhjet presidenciale, duke e bërë atë një figurë potencialisht bashkuese për zgjidhjen me dy shtete.




