Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do t’i kërkojnë Komisionit Evropian më 23 tetor ta përgatisë një propozim ligjor për t’i shfrytëzuar 176 miliardë euro të aseteve të ngrira shtetërore të Rusisë, në mënyrë që ta sigurojnë një hua për Ukrainën.
Kjo hua do të mund ta mbulonte pjesën më të madhe të nevojave financiare të Kievit për tri vjetët e ardhshme.
Diplomatët evropianë, të cilët folën me Radion Evropa e Lirë (REL), besojnë se ka mundësi të arrihet pajtueshmëri për të gjithë planin deri në fund të këtij viti dhe se plani do të ndihmojë në mbulimin e boshllëkut që pritet të lihet, nëse Shtetet e Bashkuara nuk janë më të gatshme ta financojnë Kievin në të njëjtën shkallë si më parë.
Synimi nuk është të konfiskohen asetet ruse – të cilat mbahen kryesisht në kompaninë financiare Euroclear në Belgjikë – por të zëvendësohen me obligacione të lëshuara nga Komisioni Evropian dhe të mbështetura nga shtetet anëtare të BE-së e, mbase, edhe nga vendet e tjera të Grupit të Shtatëshes (G7) dhe partnerë të tjerë.
Paratë do t’i jepen më pas Kievit gjatë viteve 2026-2028 si një “hua dëmshpërblimi”, të cilën Ukraina do të duhet ta shlyejë vetëm pasi Rusia të ketë paguar për dëmshpërblimet e luftës.
Por, së pari duhet të zgjidhen tri çështje të rëndësishme, të cilat do të negociohen në javët e ardhshme, si pyetjet ligjore, të ngritura kryesisht nga Belgjika, si vendi pritës i Euroclearit.
Pastaj do të ketë debate për atë se ku mund t’i shpenzojë Ukraina këto para, të nxitura kryesisht nga Franca.
Në përfundimisht, diskutimi i gjerë është se kush do të marrë pjesë, në ç’mënyrë dhe cilat rreziqe do të përfshijë kjo.
Shqetësimet e Belgjikës
Belgjika druhet se disa vende joanëtare të BE-së – si për shembull Kina – mund të fillojnë t’i tërheqin pasuritë e tyre shtetërore nga Euroclear nga frika se mund të sekuestrohen për arsye politike. Ky shqetësim është ngritur gjithashtu nga Banka Qendrore Evropiane (BQE).
Megjithatë, Komisioni Evropian ka sqaruar në një dokument diskutimi, të cilin e ka parë REL-i, se këta hapa nuk përbëjnë konfiskim, pasi shuma kryesore do të mbetet e paprekur. Po ashtu, ajo thekson se bëhet fjalë për një masë të vetme dhe të përkohshme.
Belgjika është gjithashtu e shqetësuar se mund të detyrohet ta shlyejë vetë huan, nëse Rusia e çon çështjen në gjykatë dhe fiton, ndonëse Komisioni Evropian ka theksuar se vendimet gjyqësore ruse nuk kanë fuqi zbatimi në BE.
Më e rëndësishmja, është propozuar një sistem garancish dypalëshe nga shtetet anëtare individuale, i cili do të zëvendësohet në vitin 2028, kur të hyjë në fuqi buxheti i ri afatgjatë i BE-së.
Pastaj lind pyetja se si duhet të lejohet Ukraina t’i shpenzojë afërsisht 45 miliardë euro që do t’i merrte çdo vit.
Zbatim pa njëzëshmëri?
Franca ka qenë e zëshme në qëndrimin e saj se paratë duhet të përdoren kryesisht për blerjen e pajisjeve mbrojtëse brenda Evropës, ndërsa vende të tjera kanë kërkuar më shumë fleksibilitet.
Komisioni Evropian e ka sugjeruar një kompromis me “dy faza”, ku një pjesë e parave do të përdoret për “bazën teknologjike dhe industriale të mbrojtjes së Ukrainës dhe për integrimin e saj në industrinë evropiane të mbrojtjes, përfshirë përmes blerjes së materialeve mbrojtëse”, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për mbështetje klasike buxhetore.
Tani, çështja është nëse të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së do ta mbështesin planin.
Nuk kërkohet njëzëshmëri për miratimin e huas së dëmshpërblimeve, por sa më shumë shtete anëtare të përfshihen, aq më shumë vende do ta ndajnë rrezikun.
Brukseli dëshiron t’i ketë me vete edhe disa nga vendet e G7-ës, në mënyrë që kjo të mos shihet si një nismë vetëm e BE-së, duke qenë se ka asete të Bankës Qendrore Ruse edhe në vende të tjera.
Kjo do të ndihmonte gjithashtu në parandalimin e mundësisë që pasuritë e mbajtura në euro të tërhiqen, nëse, për shembull, Britania dhe Japonia angazhohen gjithashtu.
Një zyrtar i BE-së i tha REL-it se nëse, të themi, Hungaria dhe Sllovakia nuk bashkohen, ato mund të zëvendësohen nga disa vende të pasura që s’janë anëtare të BE-së./rel