Volodymyr Zelensky ka shprehur mbështetje për propozimin e Donald Trump që Ukraina dhe Rusia “të ngrijnë luftën në vijat aktuale të frontit”, duke e quajtur atë “një kompromis të mirë”, edhe pse pranoi se Moska e kishte bërë të qartë se nuk do ta pranonte marrëveshjen.
“Mendoj se ky ishte një kompromis i mirë, por nuk jam i sigurt se (Vladimir) Putini do ta mbështesë atë, dhe ia thashë presidentit”, tha Zelensky gjatë një vizite në Oslo, pjesë e një turneu në Skandinavi për të kërkuar mbështetje shtesë ushtarake.
Presidenti amerikan më parë këtë javë u kishte thënë gazetarëve në Air Force One: “Ata mund të negociojnë diçka më vonë. Por unë thashë të ndalemi në vijën e betejës”.
Ai po fliste pak para se një samit i planifikuar me Vladimir Putin të pezullohej pasi Rusia tha se qëllimi i saj për të kërkuar të gjithë rajonin lindor të Donbasit, përfshirë zonat e mbajtura nga Ukraina, nuk kishte ndryshuar.
Komentet e fundit të Trump u panë si një fitore modeste për Zelensky.
Udhëheqësi amerikan ka ndryshuar vazhdimisht qasje për aspekte kyçe të luftës, duke përfshirë nëse një armëpushim duhet të vijë përpara bisedimeve më të gjera për paqe, dhe herë pas here është dukur se merr në konsideratë kërkesat e Putinit që Ukraina të heqë dorë nga më shumë tokë.
Dhe kohët e fundit, Trump kishte shuar shpresën e Ukrainës se do të dërgonte raketa Tomahawk në Kiev pas një telefonate me Putinin.
Zelenskyy dhe zyrtarët e tij të lartë kanë pranuar më parë se Ukraina nuk ka gjasa të rimarrë të gjithë territorin e saj të pushtuar përmes mjeteve ushtarake, dhe ata i kanë thënë privatisht Uashingtonit dhe partnerëve evropianë se do të ishin të hapur për “ngrirjen e vijave të frontit”.
Megjithatë, miratimi publik i Zelenskyt për një plan të tillë shënon një ndryshim të dukshëm nga qëndrimi i tij i mëparshëm, kur Kievi u zotua të rimarrë të gjithë tokën e humbur ndaj Rusisë.
Ndërkohë, Rusia e ka bërë të qartë se pozicioni i saj maksimalist nuk ka ndryshuar, duke u dukur se hedh poshtë propozimin e ri të Trump “për të ngrirë vijat e betejës”.
Moska ka refuzuar vazhdimisht propozimet për armëpushim të zgjatur, duke argumentuar se ato do t’i jepnin Ukrainës kohë për t’u riarmatosur dhe për t’u riorganizuar në një kohë kur forcat ruse po përparojnë në fushën e betejës.
“E shihni, thjesht ndalimi do të thoshte harrimi i shkaqeve rrënjësore të këtij konflikti”, tha Lavrov. Këto “shkaqe rrënjësore”, sipas Moskës, i referohen kërkesave të saj gjithëpërfshirëse që do të minonin sovranitetin e Ukrainës – duke përfshirë kontrollin e plotë mbi rajonin e Donbasit, kufizimet mbi forcat e armatosura të Kievit dhe një rol në punët e saj të brendshme.