Parlamenti Evropian miraton rezolutën më të ashpër ndonjëherë për Serbinë

Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutën të mërkurën, duke dënuar fuqishëm polarizimin politik dhe shtypjen shtetërore të vazhdueshme në Serbi, një vit pas aksidentit tragjik në Novi Sad. Rezoluta po vlerësohet më e ashpra ndonjëherë, që Parlamenti Evropian ka miratuar për Serbinë.

Në rezolutë, eurodeputetët kërkojnë procedura ligjore transparente dhe gjithëpërfshirëse për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për shembjen e strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad.
Në shembjen e strehës vdiqën 16 persona, ndërsa pasuan më pas protesta masive studentore e qytetare.

Parlamenti Evropian ka bërë thirrje për llogaridhënie dhe reforma demokratike në Serbi.

Në rezolutë eurodeputetët thonë se janë thellësisht të shqetësuar për klimën e tensionuar dhe polarizuese të nxitur nga gjuha e urrejtjes, propaganda anti-BE dhe pro-ruse, dhe fushatat e shpifjes të përhapura nga mediat e kontrolluara nga qeveria dhe nga zyrtarët.
Është thënë se ka pasur dështim të madh nga përfaqësuesit e Qeverisë për t’u përballur dhe për t’u pajtuar me të kaluarën e Serbisë.

“Duke denoncuar konkretisht taktikat e paligjshme të mbikëqyrjes, duke përfshirë përdorimin e spywaret Pegasus, dhe përdorimin e pajisjeve akustike me rreze të gjatë veprimi dhe gaz lotsjellës kundër civilëve, eurodeputetët thonë se udhëheqja serbe është politikisht përgjegjëse për përshkallëzimin e represionit, normalizimin e dhunës dhe dobësimin e demokracisë së vendit”, është thënë.

Rezoluta është miratuar me 457 vota pro, 103 kundër dhe 72 abstenime.

Me rezolutë eurodeputetët bëjnë thirrje për hetime urgjente dhe të paanshme lidhur me pretendimet për abuzime të protestuesve. Dënojnë fuqishëm arrestimet dhe dëbimet e paligjshme të qytetarëve të BE-së të cilët bënë deklarata në mbështetje të studentëve protestues.

Rezoluta dënon edhe sulmet verbale nga zyrtarët e lartë serbë kundër eurodeputetëve, pas angazhimit të tyre në protesta dhe hedh poshtë pretendimet e pabazuara nga autoritetet serbe që akuzojnë BE-në për orkestrimin e protestave.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte akuzuar Perëndimin duke thënë se qëndron prapa protestave.

Po ashtu në rezolutë është folur edhe për zgjedhjet në Serbi. Është thënë se zgjedhjet e mëparshme janë mbajtur në kushte të padrejta nga presioni mbi votuesit dhe blerja e votave.

“Parlamenti bën thirrje për zbatim të menjëhershëm dhe të plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR I-EOM për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Serbi, duke përfshirë auditime të pavarura të regjistrave të votuesve dhe qasje të barabartë në media për të gjithë akterët politikë”, thuhet në rezolutë.

Parlamenti nënvizon angazhimin e tij për të vendosur ndaj perspektivave të anëtarësimit të Serbisë në BE, në kushtet që të jetë bërë përparim i matshëm në respektimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore, si dhe të jetë në përputhje të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së dhe t’i vendosen sanksione Rusisë.

“Eurodeputetët duan që zyrtarët e lartë të BE-së të përmbahen nga bërja e deklaratave të pabaza që lavdërojnë proceset e reformave në Serbi dhe mirëpresin ‘tonin e ri’ të presidentes së Komisionit, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj të fundit në Serbi, ‘i cili është më i besueshëm në lidhje me problemet e thella të Serbisë dhe rezultatet negative të reformave themelore’”.

Rezoluta mbështet vendosjen e shpejt të një misioni faktmbledhës të BE-së në Serbi, me pjesëmarrjen e Parlamentit Evropian, për ta vlerësuar situatën në terren, duke përfshirë gjendjen e demokracisë, protestat e vazhdueshme dhe shtypjen kundër pjesëmarrësve.