Adnan Azizi: Ftoj të gjithë shqiptarët t’i lënë anash ndarjet partiake, t’ia zgjasim dorën njëri tjetrit dhe të jetojmë si vëllezër

Shefi i shtabit qendror të VLEN-it dhe deputeti, Adnan Azizi, ka falënderuar qytetarët që kanë marrë pjesë në votime, ndërsa i fton të gjithë shqiptarët që t’i lënë anash ndarjet partiake dhe t’ia zgjasin dorën njëri-tjetrit.

Ai thotë se këto zgjedhje ishin më korrektet dhe më demokratiket në historinë e Maqedonisë së Veriut që nga pavarësia.

“Të dashur qytetarë, më lejoni të ju falënderoj nga zemra për pjesëmarrjen e madhe në zgjedhjet lokale, vetëdijen e lartë qytetare dhe demokratike të cilën e dëshmuam. Qytetarët dolën të lirë, pa presione, pa shantazhe dhe pa asnjë ekces serioz në ditën e votimit dhe gjatë fushatës. Këto zgjedhje ishin zgjedhjet më korrekte dhe më demokratike në historinë e Maqedonisë së Veriut që nga pavarësia. Për këtë i përgëzoj të gjithë qytetarët, KSHZ-në, organet e rendit dhe subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje”.

“E shfrytëzojmë këtë atmosferë pozitive që t’i ftojmë të gjithë shqiptarët t’i lënë anash ndarjet partiake, t’ia zgjasim dorën njëri tjetrit dhe të jetojmë si vëllezër, pa ndarje partiake. Koalicioni VLEN është mirënjohës për përkrahjen e madhe që na e besuan qytetarët në gjithë vendin. Prej sot, për ne nuk ka “tanët” dhe “tuajt”. Për ne të gjithë shqiptarët janë të njëjtë dhe do të vazhdojmë të punojmë për të gjithë, t’i përfaqësojmë të gjithë qytetarët tanë, si në pushtetin qendror, ashtu edhe në komunat ku jemi fitues”, ka shkruar Azizi.

Ai gjithashtu ka përgëzuar AKI-në për fitoret në Likovë dhe Pllasnicë, ndërsa i fton të gjithë shqiptarët të angazhohen për fitoren e VLEN-it në komunat ku janë në balotazh.

“Gjithashtu dua t’i përgëzoj konkurruesit tanë politik, AKI-në, për fitoret në Likovë dhe Pllasnicë, dhe për fitoren e përbashkët të shqiptarëve në Çashkë.

Edhe një herë, ju faleminderit për përkrahjen, ju faleminderit për qytetarinë dhe vetëdijen e lartë politike që e dëshmuat të dielën. Nga sot u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, të gjithë aktivistëve në terren që të angazhohen për fitoren e madhe të VLEN-it në çdo komunë ku garon në balotazh. Jemi favorit absolut në të gjitha komunat”, ka shkruar Azizi.