Presidenti i Ukrainës dhe disa liderë evropianë kanë akuzuar të martën presidentin rus, Vladimir Putin, për përpjekje për të fituar kohë në përfundimin diplomatik të luftës në Ukrainë, duke kundërshtuar çdo iniciativë që do ta detyronte Kievin të dorëzonte territore të pushtuara nga forcat ruse në këmbim të paqes – një ide që është përmendur herë pas here nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Tetë liderë evropianë, së bashku me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, në një deklaratë të përbashkët kanë konfirmuar synimin për të vazhduar me planet për përdorimin e miliarda eurove nga asetet e ngrira të Moskës jashtë vendit për të ndihmuar Kievin në përpjekjet për të fituar luftën, pavarësisht shqetësimeve rreth legalitetit dhe pasojave të një vendimi të tillë.
Në deklaratë u shpreh mbështetje për përpjekjet e Trumpit për paqe në Ukrainë, teksa ai pritet të takohet me Putinin në javët në vijim në Budapest të Hungarisë. Megjithatë, liderët evropianë kanë theksuar se “mbeten të përkushtuar ndaj parimit se kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë”.
Deklarata e bërë nga liderët e Ukrainës, Mbretërisë së Bashkuar, Finlandës, Francës, Gjermanisë, Italisë, Norvegjisë, Polonisë, Danimarkës dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian ka ardhur herët në atë që Zelensky tha se të hënën do të nis një javë “shumë aktive në diplomaci”.