Izraeli konfirmon sulmet në Gazë

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka udhëzuar forcat e sigurisë së shtetit të tij që të ndërmarrin “veprim të fuqishëm” ndaj caqeve të militantëve në Gazë, duke e akuzuar Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – për shkelje të armëpushimit.

“Pas shkeljes së armëpushimit nga Hamasi, kryeministri Netanyahu ka mbajtur konsultime me ministrin e Mbrojtjes dhe zyrtarë të lartë të sigurisë dhe i ka udhëzuar që të ndërmarrin veprim të fuqishëm kundër caqeve terroriste në Rripin e Gazës”, tha zyra e Netanyahut.

Megjithatë, krahu ushtarak i Hamasit tha se grupi po i përmbahet marrëveshjes së armëpushimit dhe nuk është në dijeni për ndonjë luftim në Rafah, ku ushtria izraelite ka kryer sulme ajrore.

Më herët gjatë të dilëes, mediat në Izrael raportuan për sulme në Rripin e Gazës.

Transmetuesi publik izraelit, Kan, tha se forcat ajrore kanë kryer sulme në Rafah, në jug të Gazës. shumica e mediave izraelite thanë se po kryen sulme ajrore.

Ushtria izraelite kishte deklaruar të premten se “disa terroristë” kishin hapur zjarr ndaj ushtarëve të saj në zonën e Rafahut, por nuk raportoi për të lënduar. Më vonë po të premten, ushtria tha se sulmoi një grup tjetër “terroristësh” që po i afroheshin trupave në Han Junis.

Qeveria izraelite dhe Hamasi kanë fajësuar njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit, teksa Izraeli ka thënë se pikëkalimi në Rafah, që lidh Gazën me Egjiptin do të mbetet i mbyllur deri në një njoftim të ri.

Izraeli dhe Hamasi janë përplasur mbi kthimin e trupave të pengjeve të vdekur. Izraeli kërkoi që Hamasi të përmbushë detyrimet e tij duke dorëzuar trupat e mbetur të të gjitha 28 pengjeve.

Hamasi ka liruar të gjitha 20 pengjet e gjalla dhe ka dorëzuar mbetjet mortore të 12 pengjeve të vdekura.

Sulmet e raportuara në Gazë vijnë pasi SHBA-ja tha se ka “raporte të besueshme” që Hamasi po planifikon një sulm ndaj civilëve palestinez. Një sulm i tillë, sipas Uashingtonit, do të përbënte shkelje të armëpushimit, duke e paralajmëruar grupin radikal palestinez se do ndërmarrë masa.

Hamasi ka mohuar se po planifikon një sulm të tillë./REL