Prokuroria: Deri tani, nuk ka shkelje të rënda në procesin zgjedhor

Sipas informacioneve të marra nga prokuroritë publike në mbarë vendin, dita e sotme e zgjedhjeve lokale 2025 po zhvillohet përgjithësisht qetë dhe pa shkelje të mëdha të procesit zgjedhor, njofton Prokuroria Publike e Shtetit.

Që nga hapja e vendvotimeve në mëngjes, në prokuroritë publike dhe në adresën elektronike zyrtare [email protected] nuk janë raportuar incidente apo parregullsi në vendvotime që do të kishin elemente të veprës penale.

“Një prokuror nga Prokuroria Publike e Strumicës është njoftuar gojarisht për fletëvotime të shtypura gabimisht në komunën e Novo Sellës dhe është zhvilluar bisedë lidhur me rastin. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është informuar që ta zëvendësojë materialin, por është konstatuar se nuk ka elemente të veprës penale. Gjatë ditës së djeshme janë evidentuar disa raste të izoluara me dyshime për blerje votash në Veles, Prilep, Kriva Pallankë dhe Sveti Nikole. Në të gjitha këto raste po ndërmerren veprime hetimore nën drejtimin e prokurorëve publikë për të verifikuar pretendimet. Gjithashtu janë pranuar disa informacione për shkelje të mundshme të heshtjes zgjedhore, por deri tani numri i ngjarjeve që mund të kenë elemente penale është shumë i vogël. Në bazë të këtyre të dhënave, procesi zgjedhor po zhvillohet pa pengesa të mëdha nga aspekti i ndjekjes prokuroriale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Prokuroria shton se Komisioni i përkohshëm për ndjekjen e parregullsive zgjedhore vazhdon ta monitorojë tërësisht procesin e votimit edhe sot, ndërsa adresa elektronike [email protected] mbetet e hapur për çdo denoncim të dyshimeve për vepra penale që mund të ndikojnë në rrjedhën e zgjedhjeve.

Gjithashtu, në të gjitha prokuroritë themelore janë organizuar turne të jashtëzakonshme, ndërsa Prokuroria bashkëpunon ngushtë me institucionet e tjera kompetente për monitorimin e procesit zgjedhor.
“Të gjitha dyshimet e mundshme për vepra penale që mund ta cenojnë procesin zgjedhor do të hetohen, dhe rastet do të trajtohen me prioritet,” – thekson Prokuroria Publike e Shtetit.