Afganistani dhe Pakistani kanë rënë dakord për një armëpushim të menjëhershëm gjatë bisedimeve në Doha, kanë bërë të ditur të dyja palët të dielën, pas një jave përleshjesh të ashpra kufitare, duke shënuar dhunën më të keqe midis fqinjëve të Azisë Jugore që kur talebanët morën pushtetin në Kabul në vitin 2021.
Armëpushimi “është finalizuar”, ka shkruar në X, ministri i Mbrojtjes i Pakistanit, Khaëaja Muhammad Asif, duke shtuar se të dyja palët do të takohen përsëri më 25 tetor në Stamboll për të diskutuar “çështje të detajuara”, raporton Reuters.
Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, ka thënë në një deklaratë se palët kanë rënë dakord për një armëpushim të plotë dhe kuptimplotë.
Ministria e jashtme e Katarit, e cila ndërmjetësoi bisedimet e së shtunës së bashku me Turqinë, ka thënë se takimet pasuese kanë për qëllim “të siguronin qëndrueshmërinë e armëpushimit dhe të verifikonin zbatimin e tij në një mënyrë të besueshme dhe të qëndrueshme”.
Pakistani dhe Afganistani po kërkojnë një rrugë përpara pasi përleshjet lanë të vdekur dhjetëra dhe plagosën qindra të tjerë.
Luftimet tokësore midis aleatëve të dikurshëm dhe sulmet ajrore pakistaneze përgjatë kufirit të tyre të kontestuar prej 2,600 km u shkaktuan pasi Islamabadi kërkoi që Kabuli të frenonte militantët që kishin shtuar sulmet në Pakistan, duke thënë se ata vepronin nga streha në Afganistan.
Talebanët mohojnë se u kanë dhënë strehë militantëve për të sulmuar Pakistanin dhe akuzojnë ushtrinë pakistaneze për përhapjen e dezinformatave rreth Afganistanit dhe strehimin e militantëve të lidhur me Shtetin Islamik, për të minuar stabilitetin dhe sovranitetin e tij. Islamabadi i mohon akuzat.
Militantët kanë zhvilluar një luftë për vite me radhë kundër shtetit pakistanez në një përpjekje për të përmbysur qeverinë dhe për ta zëvendësuar atë me llojin e tyre të rreptë të qeverisjes islamike.
Të premten, një sulm vetëvrasës pranë kufirit ka vrarë shtatë ushtarë pakistanezë dhe ka plagosur 13 të tjerë, kanë thënë zyrtarët e sigurisë.