Operacion policor në Zveçan dhe Zubin Potok

Hetuesit policorë po kryejnë bastisje në komunën e Zveçanit dhe Zubin Potokut më 19 tetor, njoftuan autoritetet.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila ka parashtruar kërkesën në gjykatë për këtë operacione, janë duke u kryer bastisje në këto dy komuna nën dyshimin e kryerjeve të veprave penale: “rrezikimin e personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me to, vrasje e rëndë dhe sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

Prokuroria tha se bashkë me Policinë është duke kryer hetimet e nevojshme për këtë rast.

“Publiku do të njoftohet me detaje, pas përfundimit të operacionit”, u tha në njoftim.

Zveçani dhe Zubin Potoku, janë dy nga katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Në këto komuna, viteve të fundit ka pasur tensione dhe më 2023, në këtë zonë kishte pasur protesta të serbëve lokalë kundër kryetarëve shqiptarë të komunave.

Protestat më 2023 kulmuan me përplasjen mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, në Zveçan më 29 maj. Gjatë kësaj përplasjeje u lënduan dhjetëra ushtarë të KFOR-it dhe protestues. NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që përgjegjësit për dhunën të përballen me drejtësinë.

Në shtator të po atij viti në Banjskë të Zveçanit, një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter.

Kosova e konsideron këtë si sulm terrorist dhe për të e fajëson Serbinë. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Kosova ka ngritur aktakuzë ndaj tij dhe personave të tjerë që dyshohen për këtë rast, por vetëm ndaj tre personave po zhvillohet gjykimi pasi të tjerët janë të paarritshëm për autoritetet e Kosovës.

Kosova kërkon që Serbia të dorëzojë Radoiçiqin dhe të dyshuarit e tjerë për Banjskën, teksa bashkësia ndërkombëtare kërkon që ata të përballen me drejtësi./rel