Grenell: Gjykata e Hagës e korruptuar, duhet t’i ndërpritet financimi

Emisari special i presidentit Donald Trump për Misionet e Posaçme, Richard Grenell, ka ‘sulmuar’ përsëri Gjykatën e Hagës, duke e quajtur atë “totalisht të korruptuar” dhe duke kërkuar që t’i ndërpritet financimi.

Në një postim në platformën “X”, Grenell ka përmendur edhe prokurorin amerikan Jack Smith, i cili dikur ishte pjesë e kësaj gjykate.

“Gjykata e Hagës është totalisht e korruptuar dhe duhet të mos financohet më. Jack Smith ishte një nga prokurorët e tyre që arrestoi presidentin në detyrë të Kosovës më shumë se pesë vjet më parë. Ai është ende në burg. Gjyqi ka filluar vetëm së fundmi”, ka shkruar Grenell.