Zyrtarë nga Afganistani dhe Pakistani do të shkojnë në Katar për të negociuar një fund të konfliktit kufitar, i cili pa tre lojtarë kriketi të vrarë në përshkallëzimin e fundit.
Fqinjët janë përfshirë në një konflikt vdekjeprurës për rreth një javë që ka lënë dhjetëra të vdekur dhe qindra të plagosur.
Të dy pretendojnë se po i përgjigjen agresionit të palës tjetër.
Islamabadi akuzon Afganistanin për strehimin e militantëve që kryejnë sulme brenda vendit, veçanërisht anëtarëve të grupit të ndaluar Tehreek-e-Taliban Pakistan.
Kabuli i hedh poshtë akuzat.
Bëhet e ditur se luftimet u intensifikuan të premten në mbrëmje pasi ushtria pakistaneze kreu sulme ajrore në provincën Paktika të Afganistanit.
Zyrtarë anonimë thanë se sulmet kishin në shënjestër vende strehimi të grupit militant Hafiz Gul Bahadur, duke shtuar se ato ishin hakmarrje për sulmin vetëvrasës me bombë në një kompleks të forcave të sigurisë në Mir Ali në provincën Khyber Pakhtunkhwa të Pakistanit një ditë më parë.
Ata thanë se bastisjet vranë dhjetëra luftëtarë të armatosur, por jo civilë.
Por zyrtarët afganë thanë se sulmet ajrore vranë të paktën 10 civilë, përfshirë gra, fëmijë dhe tre lojtarë kriketi vendas.
Sulmet e shtynë bordin kombëtar të kriketit të bojkotonte një seri të ardhshme T20 me Pakistanin dhe Sri Lankën “si një gjest respekti për viktimat”.
Pas përplasjeve të fundit, fuqitë rajonale, përfshirë Arabinë Saudite dhe Katarin, u bënë thirrje kombeve ndërluftuese të përmbahen dhe të zhvillojnë dialog për të ulur tensionet.
Të dy vendet ndajnë një kufi prej 2,611 km, të përcaktuar nga Vija Durand, e cila u vendos gjatë sundimit kolonial britanik të nënkontinentit, por nuk u njoh nga Afganistani.