Projekte të reja në sektorin financiar, guvernatori Ismaili takon Bassani në SHBA

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, i shoqëruar me bashkëpunëtorë, zhvilloi një takim me Zëvendëspresidenten e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Antonella Bassani, në kuadër të Takimeve Vjetore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore në Washington D.C.

Gjatë takimit, guvernatori Ismaili informoi Bassani mbi reformat e ndërmarra në kuadër të Planit Strategjik të BQK-së, zhvillimet kryesore në sektorin financiar të Kosovës dhe performancën e përgjithshme ekonomike të vendit, si dhe mbi projektet në zbatim me mbështetjen e Grupit të Bankës Botërore.

Me theks të veçantë u diskutua lidhur me projektet në sektorin financiar të mbështetura nga Banka Botërore dhe Korporata Financiare Ndërkombëtare, përfshirë projektin e ri të sektorit financiar, që përveç tjerash, mbështet BQK-në dhe Fondin për Sigurimin e Depozitave, me kontribut direkt në qëndrueshmërinë financiare dhe infrastrukturën e pagesave digjitale.