Muaj pas rënies së Assadit, familjet e të zhdukurve në Siri ende kërkojnë drejtësi

Më shumë se 181,000 njerëz janë zhdukur me forcë ose janë ndaluar në mënyrë arbitrare gjatë 14 vjetëve të luftës civile në Siri, sipas grupit monitorues të Rrjetit Sirian për të Drejtat e Njeriut. Grupi thotë se 90% e tyre janë marrë nga regjimi i Asadit. Familjet e të zhdukurve tani po kërkojnë përgjigje dhe drejtësi, nga Siria e re – e cila mbajti zgjedhjet e para parlamentare, në fillim të këtij muaji.

Një burrë i fuqishëm me mjekër, i veshur me një tunikë blu, lëvizte me shpejtësi nëpër kashtën me bar në një rrugë të rrahur nga era në Damaskun rural, duke mbledhur kocka me duar pa dorëza.

Ai shtoi një nofull në grumbull, përpara se të merrte butësisht një kafkë. Më pas e puthi atë, një moment butësie për një nga shumë viktimat e Bashar al-Assad. Dhjetë muaj pasi Assadi u rrëzua nga pushteti dhjetorin e kaluar, në një përparim të shpejtë të rebelëve, varre masive ende po zbulohen.
Trashëgimia e diktatorit sirian është e ngulitur në tokë atje. Mbetje skeletore aty ku duhet të jenë të mbjellat. Tani ka më shumë se 60 varre masive dhe numri i tyre po rritet.

Një nga varret masive doli në dritë në fshatin al-Otaiba, në rrethin e Ghoutës Lindore, ku një bari hasi rroba dhe mbetje njerëzore pasi u dogj kashta.

Autoritetet besojnë se deri në 175 trupa u shkatërruan me buldozer në një varr masiv në këtë fortesë të ish-opozitës.

Ata janë midis legjioneve të të zhdukurve.

Më shumë se 181,000 njerëz janë zhdukur me forcë ose janë ndaluar në mënyrë arbitrare gjatë 14 vjetëve të luftës civile në Siri, sipas grupit monitorues të Rrjetit Sirian për të Drejtat e Njeriut. Grupi thotë se 90% e tyre u morën nga regjimi i Asadit.

Familjet e të zhdukurve tani po kërkojnë përgjigje dhe drejtësi, nga Siria e re – e cila mbajti zgjedhjet e para parlamentare, në fillim të këtij muaji.

Një “kuvend popullor” u zgjodh, por jo drejtpërdrejt nga populli. Një e treta e vendeve mbeten për t’u mbushur. Ata do të zgjidhen nga udhëheqësi i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa.

Në varësi të pikëpamjes, në vendin e shkatërruar, zgjedhjet ishin ose një mashtrim, ose një hap i parë në rrugën drejt demokracisë.

Ndërsa Siria ecën përpara, presidenti Sharaa, një luftëtar xhihadist i kthyer në kreun e shtetit, thotë se të zhdukurit do të mbeten “një përparësi kombëtare”.

Të afërmit e pikëlluar si Kasim Hamami mbështeten në këtë.

Ai ishte duke gërmuar buzë rrugës në vendin e varrit masiv, duke nxjerrë sekrete nga toka.
Gjeti një bluzë të grisur, ngjyrë kafe të mbuluar me dhe. Ishte gjurma e fundit e Samerit, vëllait të tij, i cili ishte zhdukur në moshën 21 vjeçe.

“Sameri ishte civil”, ka thënë Kasim butësisht. “Dhe i sapomartuar, vetëm 15 ditë pas martesës. Ai nuk kishte të bënte fare me grupet e armatosura. Ai nuk luftoi askënd”, ka shtuar ai.

“Guta ishte nën bllokadë. Regjimi nuk lejonte as ushqim. Ai u largua për shkak të urisë”.

Tre nipërit e Kasimit ishin larguar gjithashtu me Samerin, dhe ndanë fatin e tij.

Ata ishin midis rreth 400 personave që u nisën nga Guta lindore më 27 shkurt 2014, duke shpresuar të arrinin në një tjetër fortesë rebele. Gjatë rrugës, ata u sulmuan nga regjimi dhe aleatët e tij në Hezbollah, milicia shiite libaneze e mbështetur nga Irani.

Sulmuesit filmuan masakrën dhe publikuan pamjet. Videoja, e shpërndarë gjerësisht në internet, është e vështirë për t’u parë.

Ajo tregon një kolonë njerëzish që ecin përgjatë një rruge, drejt e në një pritë.

Minat tokësore shpërthejnë përgjatë një shtrirjeje prej 300 metrash. Shpërthimet pasohen nga një breshëri plumbash.

Konvoji përbëhej kryesisht nga burra, por përfshinte gra dhe fëmijë, sipas Mohammed Omar Hajjar, prokurorit publik të sapoemëruar për Damaskun rural. Ai beson se ata ishin civilë. Regjimi pretendoi në atë kohë se të vdekurit ishin luftëtarë.

Dëshmia për masakrën

BBC-ja gjatë vizitës atje ka takuar një nga të mbijetuarit, i cili ka dhënë një rrëfim të drejtpërdrejtë të sulmit.

Bilali, një infermier, ishte kthyer në vendin e varrit masiv, duke hedhur një vështrim përreth peizazhit të ndriçuar nga dielli dhe duke rijetuar natën e tij më të errët.

“Ne u nisëm rreth mesnatës. Unë eca pas kolegut tim, 30 metra larg njëri-tjetrit. Pasi shpërthyen minat, të plagosurit bërtisnin. I vranë me gjakftohtësi. Dëgjova dy zëra dhe nuk munda t’i ndihmoja”, ka treguar ai.

Bilali thotë se mbijetoi duke u fshehur në një shkurre deri të nesërmen dhe tani po flet hapur për ata që nuk munden.

“Humba nipin tim, miqtë dhe të afërmit. Ata që ngritën pritën duhet të mbahen përgjegjës”, ka thënë ai.

Por a do të ndodhë kjo?

Shumë figura të larta nga ish-regjimi janë në arrati dhe Hezbollahu është shkatërruar nga sulmet izraelite dhe lufta e Izraelit në Liban në vitin 2024.

Një gjyqtar sirian ka lëshuar një urdhërarrest, në mungesë, për Bashar al-Assad, në lidhje me vrasje të tjera. Por ish-presidenti ka gjetur strehim në Rusi, vend ky që e mbështeti atë gjatë luftës civile.
Nuk dihet nëse fati i tij u diskutua kur presidenti Sharaa zhvilloi bisedime me presidentin Putin në Moskë të mërkurën. Ish-armiqtë shtrënguan duart në Kremlin dhe diskutuan se si të forconin marrëdhëniet. Nëse Assadi do të ishte duke shikuar, nuk do të ketë qenë e lehtë të shihej.
Ka një ndryshim të madh për familjet që ai shkatërroi. Ata tani mund të ndajnë dhimbjen e tyre pa rrezikuar jetën e tyre.

Zgjedhja për liri

Rreth një orë larg me veturë nga varri masiv, ekipi i BBC-së iu bashkua një takimi me gra, nëna dhe vajza të të zhdukurve.

Ato u takuan në një “Çadër të së Vërtetës” – një forum i udhëhequr nga komuniteti ku sirianët zbulojnë tmerret e së kaluarës. Në këtë rast, “çadra” ishte një sallë fshati.

Më shumë se njëqind gra ishin mbledhur, aq shumë sa nuk kishte karrige të mjaftueshme.

Ato ishin mbledhur rreth ekipit, duke mbajtur foto të burrave, baballarëve ose bijve – burra që mund të jetojnë tani vetëm në kujtesën e tyre. Më shumë foto ishin varur në rreshta në mur.

Një grua ndaloi para ekspozitës dhe ngriti dorën për të përkëdhelur një imazh.

Një 18-vjeçare me zë të ulët e quajtur Bisan kujtoi se si babai i saj u mor me armë, kur ajo ishte vetëm katër vjeç.

“Ata e kapën babanë tim, e prangosën dhe e futën në furgon”, është shprehur ajo.  “Ai i pyeti pse po e arrestonin. Njëri prej tyre i drejtoi një armë në kokë. Ishim shumë të frikësuar. Nuk mund të bënim asgjë atëherë. Isha e vogël dhe mamaja ime nuk ndalej duke qarë”, ka shtuar ajo.

Kushërira e saj qëndronte pranë, ndërsa ajo fliste. Babai i saj ishte marrë gjithashtu.
Përreth dhomës, zërat ngriheshin e uleshin në një kor rrëfimesh të llahtarshme për të dashurit e rrëmbyer nga puna ose shtëpia dhe “të gëlltitur” nga sistemi famëkeq i burgjeve të regjimit.

“Burgjet ishin të mbushura me gjak, dhe jetë të të pafajshmëve”, bërtiste një grua nga fundi i korridorit.

“Shpenzuam shumë… ndonjëherë madje duke shitur shtëpitë tona, për të paguar ndonjë ‘qen’ nga regjimi për informacion në lidhje me vëllezërit, djemtë ose burrat tanë”, ka shtuar ajo.

Një grua tjetër përshkruante se iu kërkua të zgjidhte midis lirisë për djalin e saj ose burrin e saj.

“Mua dhe djalin tim na çuan në degën e sigurisë. Na rrahën të dyve. Më treguan djalin tim në kamera dhe më pyetën nëse doja burrin tim apo djalin tim. Unë thashë se doja djalin tim”, ka shtuar ajo.

Autoritetet i kishin kërkuar asaj të nënshkruante një dokument, ku thuhej se burri i saj ishte terrorist, por ajo kishte refuzuar.

“Nuk e kam parë kurrë të mbante armë. Ai doli në demonstratë, sepse ishte i uritur”, është shprehur ajo.

Bisan e pa të atin për herë të fundit kur ishte katër vjeç.

Një grua tjetër e mbuluar bërtiti kërkesën e saj: ekzekutoni Bashar al-Assadin.

“Do t’i marrim të drejtat tona kur ai të varet”, ka thënë ajo. “Ai është fajtor për gjithçka. Kur t’ia presim kokën gjarprit, do të shërohemi dhe do të bëjmë paqe me njëri-tjetrin”, ka shtuar ajo.

Najwa, një nga organizatorët, mori fjalën për t’i nxitur familjet të jenë të duruara.

Burri i saj, Mohammed al-Hallaq, ishte marrë në janar të vitit 2014. Asaj i ishte dhënë certifikata e vdekjes më vonë atë vit, por trupi i tij nuk është gjetur kurrë.

“Djali i një derri, Bashar, na shkatërroi për 14 vjet”, ka thënë Najwa, me zërin e mbushur me zemërim.

“E vetmja gjë që kërkoj nga ju: mos u dorëzoni, mos ndaloni së kërkuari drejtësi. Nuk do të ndodhë brenda natës”, ka shtuar ajo.

Disa pyesin veten nëse do të ndodhë fare, përfshirë një baba të pikëlluar të quajtur Mohammed, një nga burrat e paktë në takim. Djali i tij, Mazen, i cili punonte në kompaninë e energjisë elektrike, ishte marrë nga sigurimi shtetëror në vitin 2013.

“E gjithë kjo bisedë nuk është e dobishme, nëse nuk ndërmarrim veprime”, është shprehur ai me lot në sy. “Ajo që na duhet është që njerëzit që i morën bijtë tanë të dalin në gjyq”.

Tani ekziston një Komision Kombëtar për Personat e Zhdukur, por është në hapat e parë dhe po përballet me mungesën e burimeve – duke përfshirë edhe objektet e testimit të ADN-së. Siria ka vetëm një laborator ADN-je.

Dhjetë muaj pas rrëzimit të Assadit, listat e të zhdukurve janë ende në rritje.

Disa familje vetëm tani po dalin me rrëfime për të dashurit e tyre që kanë ikur prej kohësh.
“Ne përpiqemi të menaxhojmë pritjet”, ka thënë Zeina Shahla, zëdhënëse e komisionit.
“Ne u themi familjeve se kemi filluar, por për fat të keq do të duhen vite. Në çdo fshat sirian, mund të ketë persona të zhdukur”, ka shtuar ajo.

Në rastin më të mirë, të dashurit e tyre mund të presin shumë vjet për të vërtetën, drejtësinë ose eshtrat për t’i varrosur.